Nga 220 në 175 lekë/litër, PD i propozon Kuvendit plan për uljen e çmimit të naftës

Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend një paketë ligjore për uljen e çmimit të naftës, pas krizës në tregun e hidrokarbureve të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.

19.03.2026. 11:01

Nga 220 në 175 lekë/litër, PD i propozon Kuvendit plan për uljen e çmimit të naftës

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore me dy projektligje, që synojnë uljen e çmimit të naftës dhe mbajtjen e tij nën kontroll, në kushtet e krizës së shkaktuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Eno Bozdo, u shpreh se aktualisht shqiptarët përballen me një barrë shumë të lartë fiskale mbi karburantin, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me çmimet më të shtrenjta në Evropë.

“Sot, shteti shqiptar merr rreth 125 lekë taksë për çdo litër nafte që shitet. Kjo do të thotë se qytetarët paguajnë rreth 1,200 lekë të vjetra taksë për çdo litër që konsumojnë, një nga nivelet më të larta në Evropë”, deklaroi Bozdo.

Sipas tij, rreth 60%–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të OECD-së.

“Për krahasim, në vendet e BE-së taksat përbëjnë mesatarisht rreth 52% të çmimit, ndërsa në shumë raste edhe më pak se 50%. Në vendet e zhvilluara të OECD-së kjo përqindje është edhe më e ulët, rreth 40%–45%”, theksoi ai.

Paketa e propozuar nga PD parashikon dy masa kryesore që janë: ulja e taksës së qarkullimit në nivelin e vitit 2013 dhe aplikimi i modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës italiane, ku të ardhurat shtesë nga TVSH përdoren për të ulur akcizën.

“Këto mekanizma përdoren gjerësisht nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian dhe janë në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Zbatimi i tyre do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër në të paktën 175 lekë/litër”, u shpreh Bozdo.

Sipas Partisë Demokratike, këto masa synojnë të lehtësojnë kostot për konsumatorët, ekonomitë familjare dhe sektorin prodhues, duke reflektuar një politikë më të drejtë fiskale ndaj qytetarëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)