Nafta mbi 200 lekë/litër, Konfindustria i kërkon qeverisë paketë anti-krizë: Ulni taksat urgjent!

Organizata paralajmëron se situata, e ndikuar nga zhvillimet e fundit në Iran, mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe qytetarët nëse nuk merren masa konkrete.

18.03.2026. 11:16

Nafta mbi 200 lekë/litër, Konfindustria i kërkon qeverisë paketë anti-krizë: Ulni taksat urgjent!

Rritja e çmimit të karburanteve si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme ka shtyrë Konfindustrinë, që t’i bëjë thirrje qeverisë shqiptare për ndërhyrje të menjëhershme me masa fiskale antikrizë.

Organizata paralajmëron se situata, e ndikuar nga zhvillimet e fundit në Iran, mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe qytetarët nëse nuk merren masa konkrete. Në një reagim zyrtar, Konfindustria kërkon hartimin dhe zbatimin urgjent të një pakete lehtësuese për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve në treg.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar në kohë e krizës së karburanteve për shkak të luftës në Gjirin Persik, kërkon nga qeveria ndërtimin dhe zbatimin e shpejtë të paketës fiskale lehtësuese të çmimeve në treg”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, paketa e parë antikrizë duhet të mbështetet në dy shtylla kryesore. Së pari, kërkohet që të ardhurat shtesë nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve të rikthehen drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset.

“Gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga zbatimi i TVSH-së mbi çmimet e rritura të karburanteve… të rikthehet drejtpërdrejt për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor”, thekson Konfindustria.

Së dyti, propozohet ulja e taksës së qarkullimit të automjeteve në të njëjtën masë me rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve.

“Konfindustria kërkon… të ulet taksa e qarkullimit të automjeteve deri në masën e rritjes së të ardhurave absolute në buxhet nga TVSH-ja e karburanteve”, vijon deklarata.

Një tjetër masë e konsideruar thelbësore është vendosja e një çmimi tavan për shitjen me pakicë të karburanteve, për të shmangur që lehtësitë fiskale të përkthehen vetëm në fitime më të larta për tregtarët.

“Ndërtimi i mekanizmit institucional për përcaktimin e çmimit tavan… është i domosdoshëm që ulja e peshës fiskale të mos përfundojë vetëm në shtimin e fitimeve për tregtarët oligopol.”

Aktualisht, çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë arritur deri në 200 lekë për litër dhe pritet të vijojnë rritjen, ndaj sipas Konfindustrisë kjo situatë mund të ketë pasoja të rënda ekonomike.

“Rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)