Rritja e çmimit të hidrokarbureve në tregjet ndërkombëtare, e ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme, ka reflektuar edhe në pompat e karburanteve në Shqipëri, ku një litër naftë po shitet me pakicë me mbi 200 lekë.
Kostoja e qarkullimit është rritur ndjeshëm për qytetarët, por qeveria shqiptare e sheh rritjen si të moderuar në krahasim me situatën në vendet e tjera dhe vlerën e naftës në bursë.
Këtë la të kuptohej kryeministri Edi Rama në një takim të zhvilluar sot me furnizuesit e naftës, ku theksoi se situata mbetet e pasigurt dhe e vështirë për t’u parashikuar.
“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi sfida është e hapur, nuk di askush se si do të evoluojë çmimi në bursë apo kur do të përfundojë kjo krizë”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se aktualisht kompanitë kanë rezerva të mjaftueshme për rreth 30 ditë, ndërsa kontratat e furnizimit garantojnë deri në 100 ditë. Paralelisht, qeveria po punon sipas tij për të rritur kapacitetin e rezervës shtetërore të naftës deri në këtë nivel.
Një tjetër nismë e paralajmëruar nga Rama është krijimi i një faktori shtetëror si distributor me shumicë në tregun e karburanteve.
“Synojmë të fusim një distributor shtetëror që garanton sasinë e nevojshme dhe lehtëson marrëdhëniet me kompanitë furnizuese”, tha ai, duke shtuar se kjo do të reduktojë varësinë nga ndërmjetësit.
Sa i përket ndërhyrjes në treg, Rama u shpreh se qeveria nuk preferon rikthimin e Bordit të Transparencës, për sa kohë dialogu me operatorët funksionon.
“Nuk e kemi parë të arsyeshme të kalojmë në Bord. Qëllimi nuk është t’ju shtrëngojmë, por të kuptojmë që kriza nuk mund të projektohet e gjitha mbi konsumatorin. Kjo nënkupton marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe sesa Bordi në kurriz”, deklaroi ai.
Rama iu përgjigj negativisht apelit të bërë nga Konfindustria, që i bëri thirrje qeverisë për ndërhyrje të menjëhershme me masa fiskale antikrizë.
Propozimi i tyre që të ardhurat shtesë nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve të rikthehen drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset, sipas kryeministrit është absurd.
“Një kërkesë që më ka tërhequr vëmendje është që e gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimin e rritur të karburantit, të rikthehet për qytetarët dhe bizneset, në çmimin fundor. Ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë që të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë dhe nga të ardhura të rritura si pasojë e situatave kësaj natyre dhe kjo kategori është ajo e pensionistëve. Ajo është kategoria e pensionistëve dhe askush tjetër. Pikë! Askush nuk duhet të kërkojë nga buxheti i shtetit më shumë se sa si takon. Përgjigja jonë për çdo kërkesë dhe orvatje e fantazi se çfarë vjen si rritje në buxhetin e shtetit, edhe për sa i përket komponentit të TVSH në çmimin e rritur të karburantit, është po, patjetër. Por është vetëm për një kategori, për pensionistët”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se situata po monitorohet për të shmangur abuzimet në treg.
“Jemi të shqetësuar për rritjen e çmimeve, por po monitorojmë të gjithë zinxhirin për të siguruar që nuk do të ketë abuzime”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo nënvizoi se, ndonëse në tregjet ndërkombëtare çmimet janë rritur deri në 40%, në Shqipëri rritja varion nga 10% në 15%. Sipas saj, aktualisht nuk ka kushte për rikthimin e Bordit të Transparencës.
“Gjykojmë se nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin, por nëse ka luhatje në marzhet e fitimit, do të ndërhyjmë për të mbrojtur konsumatorin”, shtoi ministrja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)