U bënë makth për veriun e Italisë, goditet banda e grabitësve shqiptarë, 71 vjedhje dhe mijëra euro fitime

Bandës së shqiptarëve i janë dokumentuar 71 vjedhje në verilindje të Italisë, me një dëm ekonomik të përllogaritur rreth 181 mijë euro.

26.03.2026. 11:49

U bënë makth për veriun e Italisë, goditet banda e grabitësve shqiptarë, 71 vjedhje dhe mijëra euro fitime

Një grup shqiptarësh i dyshuar për një seri vjedhjesh banesash në disa provinca të veriut të vendit është goditur nga autoritetet italiane, duke çuar në arrestimin e katër personave dhe zbulimin e një aktiviteti kriminal që kap vlerën e qindra mijëra eurove.

Sipas mediave italiane, hetimet kanë zbuluar se banda vepronte në mënyrë të organizuar në disa zona dhe konsiderohej një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë e komunitetit. Autoritetet theksojnë se të dyshuarit siguronin të ardhura përmes aktiviteteve kriminale, ndërsa dyshohet për lidhje me qarqe të njohura kriminale.

Katër personat janë nën hetim për një sërë veprash penale, përfshirë vjedhje me forcë në banesa, përvetësim të mallrave të vjedhura, riciklim targash automjetesh dhe rezistencë ndaj forcave të rendit. Aktiviteti i tyre shtrihej në zonat e Bergamos, Pordenones, Venecias dhe Udines. Gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik i lartë për arratisje dhe përsëritje të veprave penale.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Aldi Gjetani, i cili ishte shpallur në kërkim me dy urdhër-arreste dhe u ndalua pas një aksidenti rrugor. Ai rezulton i dënuar edhe për raste të tjera dhe ndaj tij është vendosur masa e dëbimit pas përfundimit të dënimit.

Ndërkohë, Silvano Marku ndodhet në paraburgim për vjedhje të tjera. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka refuzuar të japë detaje, duke pretenduar se nuk i kujtohen rrethanat e ngjarjeve.

Hetimet kanë zbuluar se grupi vepronte shpesh i armatosur. Në përgjimet telefonike, anëtarët shprehnin frikë nga reagimi i banorëve dhe diskutonin nevojën për përdorimin e armëve gjatë grabitjeve.

Banda lidhet edhe me një operacion të mëparshëm, ku janë dokumentuar 71 vjedhje në verilindje të Italisë, me një dëm ekonomik të përllogaritur rreth 181 mijë euro. Gjithashtu, sipas hetimeve, disa nga anëtarët përdornin kokainë për të përballuar presionin gjatë aktiviteteve kriminale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)