“Do të fitojmë”, shqiptari paralajmëron polakët: Të gjithë e kuptojnë rëndësinë e kësaj sfide

Kuqezinjtë nuk kanë qenë asnjëherë kaq pranë eventit më të rëndësishëm global dhe do të luajnë gjithçka për gjithçka për tu kualifikuar.

26.03.2026. 12:58

“Do të fitojmë”, shqiptari paralajmëron polakët: Të gjithë e kuptojnë rëndësinë e kësaj sfide

Pesë vite më parë, Polonia na la pas në renditje gjatë kualifikueseve dhe luajti në Botërorin 2022 në Katar. Tashmë, Shqipëria ka shansin të hakmerret dhe të sigurojë pjesëmarrjen e parë historike në finalet e Kupës së Botës.

Kuqezinjtë nuk kanë qenë asnjëherë kaq pranë eventit më të rëndësishëm global dhe do të luajnë gjithçka për gjithçka. Për këtë fakt, polakët janë paralajmëruar nga lojtarët që e njohin mirë futbollin e vendit kundërshtar. Një prej tyre është edhe ish-mbrojtësi kuqezi, Eneo Bitri.

Aktualisht ai luan në Hungari, teksa në të kaluarën ka qenë pjesë e Cracovia në Poloni. “Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Të dyja skuadrat do të luajnë me kujdes, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë e këtij takimi. Ne e dimë çfarë na pret në Poloni, por do të përpiqemi të japim maksimumin. Dhe të fitojmë”, deklaroi Bitri.

Bitri ka luajtur dy ndeshje me Kombëtaren në vitin 2022 ndaj Katarit dhe Armenisë. Largimi i Reja-s dhe emërimi i Sylvinho-s e lanë jashtë ekipit, por mbrojtësi ka vetëm vlerësime pozitive për punën e bërë nga braziliani. Ai analizoi edhe rreziqet me të cilat përballet Shqipëria në ndeshjen në Varshavë.

“Jam grumbulluar pesë herë. Ndryshimi i trajnerit pati ndikim. Atëherë ishte Eduardo Reja, tani është Silvinjo, i cili ka bërë një punë shumë të mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë. E dimë që Lewandowski është arma më e fortë, por jo e vetmja. Polonia ka edhe lojtarë të tjerë në nivel shumë të lartë në Europë. Megjithatë, ne besojmë se mund t’ia dalim në fushë”, deklaroi Bitri, që theksoi se forca më e madhe e Kombëtares është loja kolektive, ndërsa nuk preferoi të flasë për dobësitë e ekipit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)