Balotazh në repartin ofensiv, Sylvinho lë “vrasësin” e polakëve në tribunë

Vetëm 23 lojtarë në dispozicion për ndeshjen, Asani, Gripshi dhe Cake do të detyrohen të qëndrojnë në tribunë në Varshavë.

26.03.2026. 10:17

Balotazh në repartin ofensiv, Sylvinho lë “vrasësin” e polakëve në tribunë

Shqipëria luan mbrëmjen e sotme një prej ndeshjeve më të rëndësishme në histori. Kuqezinjtë do të sfidojnë Poloninë në gjysmëfinalet e “play-off” drejt Botërorit 2026, me ëndrrën që të sigurojë biletën në eventin që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Për këtë udhëkryq vendimtar, trajneri Sylvinho është detyruar të marrë disa vendime të vështira, që lidhen me përzgjedhjen e lojtarëve. Duke qenë se rregullorja e UEFA-s lejon vetëm 23 lojtarë në dispozicion për ndeshjet, tre futbollistë do të detyrohen të qëndrojnë në tribunë.

Tekniku kuqezi vendosi që jashtë ekipit të lejë “vrasësin” e polakëve, Jasir Asani. Sulmuesi ishte protagonist absolut në duelin e fundit të luajtur, më 10 shtator 2023, ku shënoi golin që i hapi rrugën fitores 2-0 në Tiranë. Së bashku me Asanin jashtë ekipit kanë mbetur edhe Nazmi Gripshi që ka shkëlqyer në Premier Ligën ruse dhe Klisman Cake.

Në stol pritet të qëndrojnë prurjet e reja të skuadrës, mbrojtësi i AEK-ut, Stavro Pilo dhe Bujar Pllana, i cili aktivizohet te Lechia Gdańsk. Ndërkohë, Sylvinho ka edhe dilema për formacionin titullar, mbi të gjitha në fazën ofensive. Fakti që Elseid Hysaj la stërvitjen para kohe, krijoi pak shqetësim në stafin kuqezi. Gjithsesi, mbrojtësi pritet të jetë gati për ndeshjen me polakët.

Në mesfushë pritet të aktivizohen Asllani, Shehu dhe Laçi, ndërsa “dhimbjet e kokës” janë në sulm. Arbër Hoxha duket favorit në krahun e majtë, teksa Broja, Uzuni dhe Bajrami janë në garë për dy vende. Gjithashtu, alternativa në këtë repart janë edhe të rikthyerit Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti, të cilët kanë qenë edhe lojtarët më në formë të momentit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)