“Kam dy muaj që nuk fle”, Sylvinho: Do përshtatemi, në 90 minuta ndodh çdo gjë

Sylvinho deklaroi nga Varshava se Shqipëria është gati për ndeshjen e nesërme përballë Polonisë e cila do të vendosë të ardhmen e Kombëtares drejt vendeve të fundit bosh për Botërorin.

25.03.2026. 17:36

“Kam dy muaj që nuk fle”, Sylvinho: Do përshtatemi, në 90 minuta ndodh çdo gjë

“Në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë”. Kështu u shpreh trajneri i Kombëtares shqiptare Sylvinho në konferencën e parë për shtyp në Varshavë përpara përballjes me Poloninë për play-off-in e Botërorit 2026.

Teksa vlerësoi vendasit si një ekip i mirë dhe me lojtarë të fortë, braziliani i shqiptarëve u shpreh se djemtë kuqezinj janë gati për këtë ndeshje, teksa shtoi se Shqipëria është përmirësuar shumë në muajt e fundit.

“Jane një skuadër që kërkon në posedojë fushën për shkak të lojtarëve të shpejtë që ka. Bëri ndeshje të mira me Holandën. Ka lojtarë të mirë që mund të shënojnë. Urban ka krijuar një grup të mirë në mbrojtje dhe sulm. Muci dhe Mehmeti janë lojtarë që e gjejnë portën, dinë të shënojnë. Por nuk ka marrë vendim për ta. Dua të jem i qartë. Ju duhet të më thoni a është përmirësuar apo jo ekipi. Besoj se jemi përmirësuar. Flas për ciklin tim, jo për paraardhësin. Nga marsi deri tani është një ekip që është përmirësuar”, tha ai.

Më tej, Sylvinho la të kuptohej se ka punuar shumë për këtë takim, duke iu rrëfyer gazetarëve shqiptarë se prej dy muajsh nuk e bën gjumin e qetë. Ai foli dhe për mungesat e ekipit dhe për deklaratën e trajnerit polak se “Shqipëria nuk do ta surprizojë Poloninë”, duke thënë se kjo gjë do t’i mbetet fushës.

“Besoj se është një nga ndeshjet më të rëndësishme. Por ne kemi bërë ndeshje të mira dhe në Evropian apo me Serbinë, e cila ishte dhe si një çështje gjeopolitike. Unë nuk fle kurrë. Kam dy muaj që nuk fle. Duhet të adoptohemi me situatën, nëse kemi apo jo një lojtar. Nuk jam një trajner që qan. Nuk e di përse e ka thënë këtë. E njoh është një njeri i madh. E di që ka përgjegjësi, luan në shtëpi, ka një ekip të mirë dhe ka presion. Ne kemi një ekip të madh, kemi zemër dhe u përballëm me 3 ekipe të mëdha në Evropian. Nesër kemi 90 minuta dhe mund të ndodhë cdo gjë”, përfundoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)