Ish-presidenti i federatës polake dhe një nga figurat më të njohura të futbollit, Zbigniew Boniek, ka ngritur alarmin përpara ndeshjes vendimtare ndaj Shqipërisë, duke kritikuar ashpër mentalitetin e kombëtares së Polonisë.
Në një intervistë për mediat polake, Boniek theksoi se problemi kryesor i skuadrës nuk lidhet me cilësinë, por me mënyrën si futbollistët e perceptojnë humbjen. “Eliminohemi nga Europiani dhe dëgjojmë që ‘nuk ndodhi asgjë’. Këtë nuk e kuptoj. Askush nuk reagon, askush nuk mban përgjegjësi”, u shpreh ai.
Sipas tij, Polonia ka lojtarë të nivelit të lartë botëror si Robert Lewandowski dhe Piotr Zieliński, ndaj pritshmëritë duhet të jenë më të larta se thjesht kualifikimi në turne. “Nuk duhet të kënaqemi vetëm me pjesëmarrjen. Me këtë mentalitet, çdo humbje justifikohet”, shtoi ai.
Boniek vuri në dukje se mungesa e reagimit pas rezultateve negative tregon një krizë më të thellë psikologjike në ekip. Sipas tij, sot ekziston një lloj komoditeti: “Nëse humbasim, nuk ndodh asgjë. Kthehemi te klubet tona dhe vazhdojmë si normalisht. Kjo nuk është fryma që duhet të ketë një kombëtare”.
Ai paralajmëroi se ndeshjet e “play-off”-it për Botërorin janë momenti ku skuadra duhet të tregojë karakter maksimal. Në rast dështimi, Boniek beson se Polonia mund të futet në një periudhë krize dhe do të detyrohet të marrë vendime të forta, përfshirë rinovimin e thellë të ekipit.
Megjithatë, ish-ylli polak mbetet optimist për cilësinë e lojtarëve dhe thekson se suksesi varet nga funksionimi si ekip. “Më e rëndësishmja është që skuadra të funksionojë si një e tërë. Vetëm kështu mund të arrihet objektivi”, përfundoi ai, duke e bërë të qartë se përballë Shqipërisë nuk ka vend për gabime.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)