Censurë për dosjen ‘Balluku’, Berisha: Rama presion mediave, i mbyllën derën e integrimit Shqipërisë

Në konferencën e përjavshme me gazetarët nga selia e PD, Sali Berisha tha se nuk po zhvillohen seancat në Kuvend, vetëm me qëllim që qytetarët të mos dëgjojnë nga deputetët e opozitës denoncimet për dosjen "Balluku".

26.03.2026. 13:46

Censurë për dosjen ‘Balluku’, Berisha: Rama presion mediave, i mbyllën derën e integrimit Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar për censurë dhe presion ndaj mediave.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se prej dy javësh qeveria po tenton të shmangë vëmendjen nga ajo që ai e quan “dosja Balluku”, ndërsa shtoi se emri i saj nuk përmendet në studiot televizive.

“Prej dy javësh, Rama përpiqet të bllokojë dyert drejt BE, për shkak të Lubi Ballukut, pasi është protagonist i dosjes. Emri Lubi apo Balluku nuk lejohet të diskutohet në asnjë studio. Nuk është në asnjë lajm. Është akti më i rëndë”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi situatën si një përqendrim të pushteteve në duart e kryeministrit, duke e krahasuar me një “grusht shteti”.

“Grushti i shtetit, akti me të cilin Edi Rama mori publikisht para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve të gjitha pushtetet në një dorë. Ai asgjësoi një institucion i ngarkuar për akuzën e zyrtarëve imunitarë në rast se ata përfshihen në akte korruptive. Ai de-facto i mbylli dyert integrimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi ai.

Berisha akuzoi gjithashtu mediat për heshtje të qëllimshme, duke pretenduar se ato po mbrojnë interesat e qeverisë.

“Kjo censurë, ky injorim i dosjes Balluku, që është de-facto dosja Rama, tregon se për këto media, këta puthadorë të regjimit, interesi publik nuk ekziston”, tha kreu i PD.

Në vijim, ai përmendi edhe çështje konkrete që sipas tij lidhen me korrupsionin, duke përfshirë projektet infrastrukturore.

“U them këtyre puthadorëve: ‘Ju duken pak ju 50 mln euro të tunelit të Llogarasë?’ Ju duken pak ju 1 mld euro në rrugë dhe dëshmitë në dokumente se si janë ndërtuar 1 km me 20 mln euro”, u shpreh Berisha.

Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se opozita nuk ka shkelur ligjin lidhur me publikimin e dosjes hetimore të SPAK për Ballukun.

“Anëtarët e komisionit të opozitës kanë firmosur, me përgjegjësi penale se do i përmbahen kërkesës së prokurorisë dhe opozita nuk e shkel këtë”, përfundoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)