Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të dytë të panairit “MatchMaker Albania”, duke përdorur batuta dhe humor me investitorët ndërkombëtarë gjatë fjalës së mbajtur. Ai i ftoi të pranishmit të provojnë rakinë shqiptare, duke thënë se ajo jo vetëm i jep më shumë “entuziazëm” vizitës në Shqipëri, por edhe ndihmon që të mos e marrin shumë seriozisht problemet artificiale të vendit.
“Te stenda ‘Takohu me qeverinë’ do të gjeni pak raki. Provojeni, sepse Shqipëria do t’ju duket edhe më e bukur. Dhe efekti më i madh është se do t’ju sjellë në humor, që të mos vuani artificialisht për këto problemet tona, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh kryeministri.
Rama deklaroi se Shqipëria po përjeton transformime të mëdha dhe se po shndërrohet në një vend gjithnjë e më tërheqës për investime dhe bashkëpunime ndërkombëtare. Ai shtoi se qeveria po punon për të sjellë projekte të reja dhe investime strategjike, duke vënë theksin tek turizmi, por jo vetëm në formën e zakonshme.
Sipas Ramës, synimi është zhvillimi i një turizmi më të avancuar dhe më të kujdesshëm ndaj qëndrueshmërisë, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion me standarde më të larta. Gjatë fjalimit, Rama u ndal edhe te projekti i qeverisë për Inteligjencën Artificiale, duke kujtuar se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka krijuar Ministren e Inteligjencës, Diellën. Sipas kreut të qeverisë, së shpejti priten zhvillime dhe lajme të reja në këtë drejtim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)