Pak ditë më parë, një pohim i komisioneres për zgjerimin Marta Kos, bërë në një intervistë për Politico, ku u shpreh se shoqëria shqiptare tregon një nivel pranimi ndaj korrupsionit, u bë temë debati në mjedisin politik dhe mediatik në vend.
“Mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”, tha Kos për Politico.
Nga Partia Demokratike e atakuan Kos duke thënë se ka bërë një pohim racist dhe korruptiv, me Sali Berishën që shkoi edhe më tej duke thënë se është e papranueshme që një zyrtare e lartë e BE të deklarojë se shqiptarët e kanë korrupsionin në mendje.
Për të shuar debatin e ndezur mbi deklaratën e saj ka menduar vetë Komisionerja për Zgjerimin. Marta Kos në një postim në rrjetet sociale i qëndron deklaratës duke u shprehur se procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë dhe pavarësisht rrethanave, baza për avancimin në rrugën drejt Brukselit mbetet e njëjtë për të gjithë.
“Le të jemi shumë të qartë për atë që po ndodh. Këtë javë fola në Samitin ‘Competitive Europe’ të Politico. Shpjegova që ne kemi nevojë për debat të vazhdueshëm mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që kjo ndodh, ne duhet të jemi 100% të angazhuar ndaj mbështetjes së vendeve kandidate me reformat e nevojshme. Në të gjitha vendet kandidate, ndërtimi i institucioneve të forta demokratike është njëra anë dhe ana tjetër është ndryshimi i mentalitetit të shoqërive që edhe ato ta luftojnë korrupsionin.
Procesi mbetet i bazuar në meritë. Ndërsa çdo kandidat ka rrethana specifike, baza për anëtarësimin në BE mbetet e njëjtë për të gjithë. Të hysh në BE nuk është thjesht për të markuar kutizat, por edhe për të bërë ndryshimin realitet”, shkruan ajo.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)