Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët në rrjetet sociale, ku paralajmëroi përshkallëzim të protestave duke nisur nga ajo e 22 dhjetorit.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse kryeministri nuk dorëzon zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Berisha deklaroi se rruga ligjore është e mbyllur dhe se zgjidhja e vetme mbetet reagimi qytetar.
“Rama rrugën ligjore e ka mbyllur. Rama e ekzekutoi i pari Gjykatën Kushtetuese me një korrupsion të paimagjinueshëm. Zgjidhja e vetme është qytetari shqiptar me revoltën e tij. Qytetari ka të drejtë, në ligj, në Kushtetutë dhe në moral, të ndërmarrë çdo hap, të përdorë çdo mjet për largimin e kësaj bande nga pushteti. Është faktuar se kjo bandë nuk ka asnjë legjitimitet”, u shpreh Berisha.
Në lidhje me hetimet e SPAK për Ballukun, në kushtet kur është kërkuar edhe heqja e imunitetit për t’i hapur rrugën arrestimit të saj, Berisha tha se ajo po mbrohet politikisht nga kryeministri Rama, ndërsa e akuzoi zv/kryeministren se posedon pasuri të pajustifikuara.
“Këtë javë, nga dosja e Lubi Ballukut, qytetarët shqiptarë mësuan se ministrja dhe zëvendëskryeministrja, që ndër të tjera kishte qenë nga babysitter në një punonjëse në Bashkinë e Tiranës, është pronare e 300 apartamenteve, e dy jahteve dhe shumave përrallore, akoma të pagjetura në kontot e saj. Ky është një proces shumë i vështirë, proces në vazhdim, në të cilin Lubi Balluku po mbrohet nga Edi Rama në mënyrë që të prishë çdo lloj dokumentacioni, por nuk ka dyshim se ato do të sekuestrohen dhe do t’u kthehen qytetarëve”, deklaroi Berisha.
Duke folur për protestën e thirrur nga Partia Demokratike më 22 dhjetor, Berisha tha se ajo do të shërbejë si ultimatum për kryeministrin. “Qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe i japin ultimatum Ramës. Edi Rama duhet të largohet. Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të gjejë paqen që meriton.”
Lideri i selisë blu paralajmëroi se protestat e ardhshme nuk do të jenë të shkurtra apo simbolike, por të forta dhe të qëndrueshme deri në largimin e Ramës nga pushteti.
“Unë ju mirëkuptoj ju, por dhe ju më mirëkuptoni mua. Historia dhe eksperiencë kemi. Në këtë start ne duhet të ndihemi më të fuqishëm dhe të motivuar se kurrë sepse Edi Rama qëndron mbi farsën elektorale. Zgjedhjet e 11 majit i ka fituar opozita. Kemi të drejtë të marrim çdo masë kundër tij për ta nxjerrë nga pushteti. Ai pushtet qëndron mbi farsën dhe jo mbi votën. Ne jemi në diktaturë.”
Ai solli edhe shembuj historikë për të justifikuar rezistencën qytetare. “Në Kavajë në mars ’90 grupet antikomuniste për dy ditë çliruan Kavajën, me motivin ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri, o sot o kurrë’. Ne dimë si luftohen diktaturat dhe ne do t’i përvishemi diktaturës. Ne japim sinjalin e parë më 22 për të vijuar deri në rrëzimin e tij.”
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të përgatiten për protesta afatgjata.
“Të gjithë ata që janë të betuar për ta larguar, duhet të përgatiten për protesta të qëndrueshme, të gjata. Protestat, më tha një qytetar në Kavajë, duhet t’i bëjmë me batanije në shpinë.”
Berisha zbuloi gjithashtu se kishte ftuar Adriatik Lapajn t’i bashkohej protestës së 22 dhjetorit, por sipas tij, ky i fundit ka refuzuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)