Berisha: Rama ka vendosur veten mbi ligjin. Nga sot nuk je kryeministër, por kapobandë!

Akuzat nga protesta e opozitës. Sipas kreut të PD-së, qeveria ka ndërhyrë në sistem dhe ka bllokuar institucionet kushtetuese.

22.12.2025. 20:15

Berisha: Rama ka vendosur veten mbi ligjin. Nga sot nuk je kryeministër, por kapobandë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës, kapje të institucioneve dhe përkeqësim të gjendjes së vendit. Akuzat janë përsëritur gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare të organizuar nga opozita. Berisha deklaroi se qeverisja e Ramës ka detyruar miliona shqiptarë të largohen nga vendi dhe se zgjedhjet janë shndërruar në një farsë elektorale, teksa pasuritë publike janë përdorur për përfitime personale.

Sipas tij, kryeministri ka vendosur veten mbi ligjin dhe institucionet. “Jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin e Kushtetutën, mbi cdo pushtet dhe na thotë nga Surreli apo kjo ndërtesë e krimit, se unë ju shumëzoj me zero. Se unë jam me ligjin. Edi Rama hidhi sytë nga bulevardi, nga sot ti do njihesh si kapobandë”, tha Berisha.

Në fjalimin e tij, kreu i PD iu përgjigj edhe kritikëve të protestave, duke theksuar se opozita është e vendosur të vazhdojë përballjen me qeverinë. Ai përdori tone të ashpra, duke e cilësuar situatën si një “luftë” të shpallur nga mazhoranca. “Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Ja do vdesim, ja do rrojmë për liri. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel… Kur ne kemi dalë me këtë betim kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin. Të nxijnë Shqipërinë… Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, u shpreh Berisha.

Ai u ndal edhe te zhvillimet e fundit në drejtësi, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje në sistem dhe për bllokim të institucioneve kushtetuese. Ai foli për një përplasje të fortë dyjavore, që sipas tij dëshmon kapjen e drejtësisë nga qeveria. “Këto dy javë në Shqipëri është zhvilluar një betejë e pashembullt. Një prokuror guximtar pezulloi nga detyra zv.kryeministren, njeriun më hajdut pas Ramës në historinë e kombit. Një gjykatë turpi, u ble. Një gjykatë supreme kryesore e kombit i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit e ktheu lubinë në detyrë që të vjedhë, të prishë cdo provë dhe si banditë të kërcënojë çdo dëshmitar”, shtoi Berisha.

Në fund ai tha: “Rama me këtë vendim na tha ne shqiptarëve se unë ju kam vjedhur dhe do t’ju vjedh sepse jam mbi ligjin mbi Kushtetutën dhe gjykatat. Kërkesë për arrestimin e zv.kryeministres, pasi u shtuan aferat provojnë se Rama dhe ajo bashkë kanë vjedhur dhe dëmtuar shqiptarë me afera 1.2 mln euro. Rama bllokoi Parlamentin. Kreu grushtin e shtetin për të shpëtuar lëkurën e tij”. Protesta u zhvillua mes thirrjeve kundër qeverisë dhe kërkesave për largimin e kryeministrit, ndërsa opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit politik në ditët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)