Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet të mendohet ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese, duke rikthyer në vëmendje idenë e zvogëlimit të numrit të deputetëve në Kuvend.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Rama theksoi se që në fillim të këtij mandati është shtruar nevoja për një parlament më të vogël, duke argumentuar se nga 140 deputetë, Shqipëria mund të kalojë në një Kuvend me rreth 100 anëtarë, një ndryshim që sipas tij do të pritej pozitivisht nga publiku dhe do të sillte racionalizim të forcave dhe burimeve.
Kreu i qeverisë shtoi se përveç numrit të deputetëve, ka edhe aspekte të tjera të Kushtetutës që duhen rishikuar, duke nënvizuar se ky proces duhet të udhëhiqet nga ekspertë që kanë njohuritë dhe përvojën e nevojshme për të lexuar dhe interpretuar ligjin themeltar të vendit.
“Duhet të mendohet edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Kemi shtruar që në krye të këtij mandati nevojën që parlamenti të zvogëlohet në numër. Kemi një parlament me 140 vetë dhe mund të kemi një me 100 vetë gjë që do ta mirëpriste publiku, dhe do të racionalizonte forca dhe burime. Ka edhe aspekte të tjera që duhen rivizuar nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë dhe shkruajnë kur vjen fjala te Kushtetuta e Shqipërisë”, tha Rama.
Më herët, Edi Rama paralajmëroi dhe nisjen e një procesi për ndërtimin e një godine të re të Kuvendit të Shqipërisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)