Pas një mbledhjeje të gjatë prej 13 orësh, Gjykata Kushtetuese u shpreh mbrëmë mbi kërkesën e Këshillit të ministrave lidhur me kompetencat për shkarkimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Të gjithë gjyqtarët ishin unanimisht dakord përsa i përket çështjes së imunitetit.
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar njëzëri se:
Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit nga detyra nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Gjykata thekson se ministrat, sipas Kushtetutës, nuk janë mbi ligjin dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës, në respekt të parimit të shtetit të së drejtës, epërsisë së Kushtetutës dhe ndarjes së pushteteve.
Ky qëndrim përbën bazën e përbashkët kushtetuese mbi të cilën u zhvillua më tej debati mes gjyqtarëve.
Por ku u ndanë gjyqtarët?
Në shqyrtimin e objektit kryesor të kërkesës, pra nëse pezullimi nga detyra i një ministri kërkon apo jo autorizim paraprak nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese u nda në dy qëndrime të barabarta, duke mos arritur numrin e nevojshëm të votave për një vendimmarrje të unifikuar.
Qëndrimi i parë: Pezullimi kërkon autorizim të Kuvendit
Sipas gjyqtarëve Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji u argumentua se:
Ashtu siç Gjykata ka argumentuar më herët për deputetët, edhe për ministrat, masat që prekin ushtrimin e funksionit kushtetues politik, përfshirë pezullimin nga detyra, duhet të kalojnë përmes Kuvendit.
Pezullimi nga detyra, për nga intensiteti dhe pasojat, ndërhyn drejtpërdrejt në funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe prish balancën mes pushteteve, nëse zbatohet pa autorizim parlamentar.
Sipas këtij interpretimi, GJKKO nuk mund të vendosë pezullimin e një ministri pa miratimin paraprak të Kuvendit.
Qëndrimi i dytë: Kushtetuta nuk e parashikon autorizimin për pezullim
Sipas Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi u mendua se:
Kushtetuta parashikon shprehimisht vetëm disa masa penale që kërkojnë autorizim të Kuvendit dhe pezullimi nga detyra nuk është një prej tyre.
Edhe pse pezullimi ndikon në ushtrimin e funksioneve të ministrit, çdo zgjerim i garancive apo mekanizmave mbrojtës i përket ligjvënësit kushtetues, jo interpretimit gjyqësor.
Sipas këtij këndvështrimi, GJKKO ka vepruar brenda kompetencave të saj.
NJOFTIMI I PLOTE I KUSHTETUESES
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më datën 06.02.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga ana tjetër; shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
Paraprakisht, Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës, si dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2 të Ligjit Organik të saj.
Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet deputeti, synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionimin kushtetues politik të ministrit. Prandaj, në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës, edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.
Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.
Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.
Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.
2. Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.
3.Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)