Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut do të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve më 23 shkurt.
Mbledhja që mazhoranca e shtyu për rreth dy muaj duke pritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e bërë nga Këshilli i Ministrave për vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut si zv/kryeministre, do të nisë nga ora 10:00.
Më pas raporti i Këshillit të Mandateve do të kalojë për votim në Parlament, në seancën plenare të datës 5 mars.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Grupit të PS, kryeministri Edi Rama zbuloi se zv.kryeministrja Belinda Balluku ia ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen që prej momentit të ngritjes së akuzave ndaj saj.
Rama sqaroi se është ai që nuk e ka pranuar këtë dorëheqje teksa shtoi se zv.kryeministrja ka vijuar me detyrën e saj pavarësisht baltës dhe gjyqit popullor.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. 1 herë kur ju ngrit akuza, 1 herë kur ju bë pezullimi dhe pastaj kur nuk vendosi GJK. Ja kam refuzuar unë. Dorëheqje me presionin e një fuqie që ka hyrë në ekzekutiv nuk ka. Jam falënderues që ka vazhduar ta marrë atë baltë, pasi unë nuk e pranoj dorëheqjen deri sa të plotësohen kushtet. Dhe atë se përcakton balta, media dhe gjyqi popullor”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, më herët, mbrojti nismën më të re ligjore për ndryshimin në ligjin e Kodit të Procedurës që ndalon pezullimin e ministrave nga prokuroria dhe gjykata.
Sipas kreut të qeverisë, duhet një kufi ndarës mes pushteteve të pavarura, teksa shtoi se në asnjë vend të botës nuk ka një rast të pezullimit të një anëtari qeverie nga gjykata.
Rama shtoi se pezullimi i një ministri nuk prek individin por funksionimin e një institucioni të tërë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)