"BE po ndjek me vëmendje nismën për ndryshime ligjore", Gonzato thirrje politikës shqiptare: Ndalni sulmet ndaj SPAK!

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka vlerësuar punën e SPAK dhe i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të ndalë sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë. Gonzato theksoi gjithashtu se Be po ndjek me vëmendje nismën për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale.

Burimi: DW

20.02.2026. 09:57

"BE po ndjek me vëmendje nismën për ndryshime ligjore", Gonzato thirrje politikës shqiptare: Ndalni sulmet ndaj SPAK!

Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka vlerësuar punën e SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në procesin e integrimit europian të vendit.

Gonzato theksoi se puna e SPAK gëzon mbështetje të fortë nga shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht për rezultatet në goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Unë mendoj se SPAK-u po bën një punë shumë, shumë të rëndësishme. Nëse flisni me shtetet anëtare, do të shihni se ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën e bërë nga SPAK-u, për shembull, në luftën kundër krimit të organizuar, në shpartallimin e bandave kriminale që veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në BE dhe, veçanërisht, në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian”, u shpreh ambasadori.

Ai vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese europiane.

“Ato e vlerësojnë jashtëzakonisht punën që po bën SPAK-u në bashkëpunim me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, si dhe me EUROPOL-in dhe EUROJUST-in për gjurmimin e këtyre bandave, për gjurmimin e aktiviteteve të tyre dhe luftën kundër krimit të organizuar. Sepse ky po bëhet një shqetësim në rritje në shtetet anëtare të BE-së. Roli që luajnë rrjetet shqiptare, për shembull, në trafikun ndërkombëtar të drogës ka ndikim edhe në sigurinë e disa qyteteve në Europën Veriore. Ndaj, kjo vlerësohet jashtëzakonisht shumë.”

Sipas tij, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet element kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Së dyti, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga elementët kyç për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Kjo është në thelb të procesit themelor që thashë më parë. Pra, ne e shohim SPAK-un si një institucion që luan rol themelor në këtë drejtim, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër pandëshkueshmërisë në nivel politik, dhe nuk shohim asnjë pengesë për thirrjen dhe hetimin e politikanëve të rangut të lartë. Mendoj se ky është një element i rëndësishëm për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë. Është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim. Pra, padyshim që vlerësimi është pozitiv.”

Ambasadori theksoi se, përveç ndëshkimit, duhet të forcohen edhe masat parandaluese kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne mendojmë se duhet bërë më shumë për anën parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo është arsyeja pse, për shembull, në kuadër të ‘Themeloreve’, një nga masat që u miratua së fundi nga Shqipëria, si pjesë e këtij hapi fillestar në procesin e anëtarësimit, ishin kriminalizimi i pastrimit të parave. Kjo do të jetë një mënyrë e rëndësishme edhe për të minuar financiarisht disa nga aktivitetet e paligjshme që kryejnë këto rrjete. Pra, ne presim që qeveria të miratojë jo vetëm strategji për parandalimin e korrupsionit, por edhe të zbatojë masa konkrete në këtë drejtim.”

Gonzato komentoi edhe ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në Kodin e Procedurës Penale, të cilat kufizojnë mundësinë e gjykatave për të pezulluar zyrtarë të lartë publikë nën hetim.

“Ne po e ndjekim nga afër këtë ndryshim të propozuar në Kodin e Procedurës Penale, që është neni që i lejon një gjykate të pezullojë një zyrtar publik që është nën hetim. Sepse çdo gjë që lidhet me sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë është diçka që ne e ndjekim nga afër dhe e vlerësojmë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet kandidate. Sistemi i drejtësisë është në zemër të punës dhe kërkesave të një vendi në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Pra, ne presim që çdo nismë legjislative të jetë në përputhje me angazhimet e përgjithshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër se si ndikon kjo në këta elementë.”

Në intervistë, ambasadori i BE-së shprehu gjithashtu shqetësim për sulmet e politikës ndaj institucioneve të drejtësisë, duke ritheksuar se forcimi i sundimit të ligjit dhe mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë mbeten thelbësore për rrugën europiane të Shqipërisë.

“Ajo që është e sigurt është se ne kemi shprehur vazhdimisht në raportet tona vjetore shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Ne kemi thënë se, në të vërtetë, gjyqësori dhe sistemi gjyqësor janë bërë më të qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)