“Përgjysmim i taksës 1,1 euro për naftën”, Berisha: Braçe përfaqëson partinë e krimit

Berisha pranoi se protestat nuk kanë sjellë “përmbysjen” që opozita do të donte, por ato kanë ndihmuar në “damkosjen e regjimit”.

04.04.2026. 13:42

“Përgjysmim i taksës 1,1 euro për naftën”, Berisha: Braçe përfaqëson partinë e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të paraqesë “kandidaturën më të shkëlqyer” për zgjedhjet lokale të vitit 2027 në Tiranë, duke theksuar se emri që do të propozohet do të jetë konsensual dhe i mbështetur nga një front i gjerë opozitar. “Do bëj gjithçka për një front më të gjerë me opozitën, dhe t’u rikthej kryeqytetin qytetarëve”, u shpreh Berisha.

Duke komentuar ambicien e deputetit socialist Erion Braçe për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës, Berisha e sulmoi ashpër, duke deklaruar se ai përfaqëson një parti të degraduar. “Ai mbahet si socialisti, si përfaqësuesi i një partie të zhdukur pa nam e nishan. Erion Braçe përfaqëson partinë e krimit. PS ka marrë trajtën e saj të re, kjo parti u themelua në krim, në duart e Edi Ramës është një parti e mirëfilltë krimi”, tha Berisha.

Në bashkëbisedimin në rrjetet sociale, lideri i demokratëve komentoi edhe rritjen e çmimeve të karburantit, duke e cilësuar emergjente ndërhyrjen për uljen e taksave. Ai deklaroi se zgjidhja është “përgjysmimi i nivelit absurd të taksës 1,1 euro”, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme reale për të lehtësuar qytetarët.

Berisha ngriti gjithashtu akuza për kontrabandë, duke pretenduar se në vend hyjnë sasi të mëdha karburanti pa doganë. “Janë 350 mijë tonë naftë më së paku që vijnë me anije të padoganuara”, tha ai, duke e lidhur këtë me atë që e quajti “kontrabandë qeveritare”. Sipas tij, propozimet e qeverisë janë “mashtruese” dhe synojnë krijimin e një ndërmarrjeje shtetërore për përfitime politike.

Ndërkohë, i pyetur nga një komentues për mungesën e rezultateve konkrete nga protestat e opozitës, Berisha theksoi se PD nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë. “Nuk pranojmë kurrë të vijmë në pushtet me dhunë. Jemi të vendosur për rrugën paqësore”, deklaroi ai. Berisha pranoi se protestat nuk kanë sjellë “përmbysjen” që opozita do të donte, por ato kanë ndihmuar në “damkosjen e regjimit”. “Ne do të vazhdojmë protestat paqësore deri në largimin e Edi Ramës… kërkon durim dhe këmbëngulje”, përfundoi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)