Shkodra ëndërron titullin pas çerekshekulli, Bashkia ofron shpërblim që zbeh FSHF-në

Kryebashkiaku Benet Beci ka njoftuar publikisht se në rast të fitimit të titullit, skuadra do të shpërblehet me 15 milionë lekë të reja. Nga federata jepen vetëm 10 milionë lekë.

04.04.2026. 15:00

Shkodra ëndërron titullin pas çerekshekulli, Bashkia ofron shpërblim që zbeh FSHF-në

Për javë me radhë në vendin e parë. Praktikisht me biletë të siguruar në “Final Four”, aty ku do të synojë të shpallet kampione e Shqipërisë. Te Vllaznia ëndërrojnë titullin e parë pas çerekshekulli mungesë.

Në Shkodër janë të bindur që ky sezon është i duhuri. Për këtë arsye në Bashki nuk kanë ndërmend të kursehen. Kryebashkiaku Benet Beci ka njoftuar publikisht se në rast të fitimit të titullit, skuadra do të shpërblehet me 15 milionë lekë të reja.

“Kam propozuar një shpërblim të veçantë prej 15 milionë lekësh të rinj për Vllazninë në rast të shpalljes kampione, si një mbështetje konkrete për të bërë realitet ëndrrën që pret i gjithë qyteti. Emocionet kuqeblu rikthehen sot dhe sytë e gjithë Shkodrës janë te djemtë tanë. Forca djem! E gjithë Shkodra është me ju”, shkruante kryebashkiaku.

Ky shpërblim i premtuar zbeh premion e Federatës së Futbollit. Në fakt, skuadra kampione përfiton vetëm 10 milionë lekë të rinj nga fitimi i titullit. Shifra është thuajse e papërfillshme krahasuar me shpenzimet vjetore për të ndërtuar një skuadër pretendente. Gjithsesi, një pjesë e madhe të të ardhurave, klubet shqiptare e sigurojnë nga pjesëmarrja në kupat e Europës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)