Në tryezën e diskutimit të organizuar nga Partia Demokratike për Portin e Durrësit, kreu i D-së Sali Berisha e cilësoi aferën më të madhe korruptive që Europa ka në tryezë.
"Çështja që ne shtrojmë sot është për momentin afera më e madhe korruptive që Europa ka në tryezë. Kjo aferë shkon të paktën, të marrë së bashku përvetësimin e pasurisë publike, nga të gjitha pasuritë publike që kanë shqiptarët sot, numri një është porti i Durrësit. Pas portit vjen kaskada. Porti me trojet dhe të gjitha është pasuria publike më e madhe e cila shkon në 3.8- 4 miliardë euro. Edhe kaskada ka vlerën e vet, por porti e ka më të madhe. Është një investim mijëravjeçar, por që ka shërbyer si kryeurë e lidhjes së shqiptarëve me Perëndimin dhe ka qenë në pozicionin e tij jashtëzakonisht strategjik dhe një faktor shumë i rëndësishëm në çmimet, në transportin e leverdishëm, etj, etj. Historia e këtij korrupsioni të përmasave të pakufishme është e tillë. Durrësi në vitin 2013, duhet ta dini ju të gjithë, kishte zonën e përcaktuar për marinën e vet. Durrësi donte një port marine, nuk diskutohet. Qytetit i mungonte porti i peshkimit, i mungonte një port marinë. Porti i peshkimit u ndërtua me paratë e Bankës Botërore, por pavarësisht se u ndërtua, atë e morën dy trafikantë të damkosur ndërkombëtare, një Naim Bej dhe ky Gjergji Luca. Këta e morën atë se donin detyrimisht të kishin eksesin e tyre në profesionin që ushtronin.
Por marina ishte e përcaktuar me projekt, me tender, me të gjitha midis Currilave dhe hotel Vollgës", tha Berisha.
Ai tha se zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port 4 herë më të vogël është akt antikombëtar nga Edi Rama.
"Nuk ka vjedhje më të madhe se kjo. Vetëm truall publik aty janë 1 milion e 200 mijë metër katrorë. Investimet që janë bërë, thellimet, leverdishmëria e jashtëzakonshme e këtij porti për të gjithë zonën nga Mati gjer te Ura e Mifolit. Dhe autoriteti i BE për portet e kishte klasifikuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike, e kishte studiuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike. Të gjitha studimet e shpalosjes së forcave të armatosura të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, Durrësin e kishin në epiqendër. Nuk kishin përcaktuar as Vlorës, as Sarandën, as Shëngjinin, por Durrësin. Pra, çdo gjë ishte e stabilizuar.
Durrësi, me infrastrukturën e re që ndërtohej, me Rrugën e Kombit, me hekurudhën Durrës-Prishtinë, me Korridorin 8, me aksin veri-jug, Durrësi shndërrohej epiqendra më kryesore e transportit në rajon. Dhe unë e kam deklaruar në mënyrë të përsëritur, një nga kundërshtimet më të forta, më të egra që u bë për ndërtimin e Rrugës së Kombit ishte sepse dëmton portet strategjike të tjera në rajon. Dhe natyrisht fuqizohej Durrësi. Durrësi dilte port kryesor. Dhe këtij i vuri syrin e ciklopit Edi Rama dhe do të bëhet multimiliarder jashtë çdo imagjinate. Por ka një tjetër aspekt, natyrisht Durrësi është ky, port tjetër mund të ndërtohet sepse nevojat rriten, etj me radhë, por zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port në Porto Romano 4 herë më të vogël në sipërfaqe dhe kapacitete sa Porti i Durrësit, 8 herë më të vogël se Porti i Selanikut, 44 herë më të vogël se Pireu, ky është një akt absolutisht fund e krye antikombëtar, në një kohë kur fizibiliteti nga Adriatiku drejt Europës qendrore është më i përshtatshmi.
Kur hyn në krime të tilla monstruoze, nuk ke të ndalur. Çfarë bën tani? Shkonte në Bruksel, shkonte edhe në selinë e NATO-s dhe u thoshte ta ndërtojnë këtë port. Natyrisht nuk i ndërhyn një vendi sovran për të ndërtuar portin, por meqenëse kërkon, atëherë porti duhet të ketë ato kushte që duhet të ketë një port strategjik për NATO-n. Porti i Durrësit i plotëson kushtet pasi është port strategjik", tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)