Arsenali është kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës në Angli, pasi triumfoi ndaj Crystal Palace në një derbi dramatik londinez që u vendos vetëm nga seria e penalltive. Skuadra e Mikel Artetës fitoi me rezultatin 8-7 nga pika e bardhë, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt.
Ndeshja u karakterizua nga emocione të forta dhe gola vetëm në minutat e fundit. Topçinjtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 80-të, kur një rrëmujë në zonën e Crystal Palace përfundoi me autogol të Lacroix. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së Arsenalit, Crystal Palace reagoi në minutat shtesë, duke barazuar shifrat me golin e Guehi, çka e çoi sfidën drejt penalltive.
Seria e 11-metërshave u shndërrua në një betejë të vërtetë nervash, ku të dyja skuadrat treguan saktësi maksimale për 15 goditje radhazi. Vendimtare ishte penalltia e 16-të, ku Lacroix, tashmë protagonist negativ i mbrëmjes pas autogolit, gaboi edhe nga pika e bardhë. Gjuajtja e tij u ndal nga portieri i Arsenalit, i cili i siguroi skuadrës së tij biletën për në gjysmëfinale.
Me këtë sukses, Arsenali futet mes katër skuadrave më të mira të kompeticionit dhe në gjysmëfinale e pret një tjetër derbi londinez, këtë herë përballë Chelseat, në një sfidë që premton sërish spektakël dhe emocione të forta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)