Një debutim që dukej si ëndërr, edhe pse në fund rezultati i ndeshjes nuk ishte ai i dëshiruari. Antonio Arena është vetëm 16 vjeç, ai shënoi në ndeshjen e tij të parë me Romën, gjatë aktivizimit si zëvendësues në Kupën e Italisë.
Me rrjetën e talentit të ri, verdhekuqtë barazuan përkohësisht rezultatin 2-2 ndaj Torinos. Gjithçka ndodhi vetëm 30 sekonda pasi hyri në fushën e lojës. I hedhur në fushë nga trajneri Gasperini në vend të Bailey-t, sulmuesi i lindur në Sidnej realizoi me kokë në prekjen e parë të topit, duke konfirmuar instinktin e tij si “numër 9” i pastër.
Megjithatë, goli nuk mjaftoi për të shpëtuar Romën nga eliminimi. Arena, me shtetësi australiane dhe italiane e ka nisur karrierën në Australi, për t’u transferuar më pas në Itali. Fillimisht ka luajtur te Pescara dhe më pas u transferua në Akademinë e Romës. Mes të rinjve spikati për cilësitë e tij dhe menjëherë u grumbullua në ekipin e parë.
Djaloshi është edhe pjesë e përfaqësueses së 17-vjeçarëve të Italisë, ku konsiderohet një nga talentet më premtuese. Me këtë gol, Arena hyn në histori: është lojtari i vetëm i lindur në vitin 2009 që ka shënuar këtë sezon në pesë kampionatet kryesore europiane dhe lojtari më i ri i këtij brezi që shënon për një skuadër të Serie A italiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)