“Shqipëria kundërshtari më i rëndësishëm”, trajneri Urban paralajmëron polakët: Kanë organizim dhe disiplinë

Më 26 mars, Kombëtarja kuqezi do të sfidojë Poloninë në Varshavë në sfidën gjysmëfinale të fazës “play-off”.

31.01.2026. 11:39

“Shqipëria kundërshtari më i rëndësishëm”, trajneri Urban paralajmëron polakët: Kanë organizim dhe disiplinë

Për herë të parë në histori, Shqipëria do të luajë në fazën “play-off” të Kupës së Botës. Më 26 mars, Kombëtarja do të sfidojë Poloninë në Varshavë në duelin gjysmëfinal, për të ëndërruar një biletë në Botërorin 2026.

Trajneri i polakëve, Jan Urban vlerësoi kuqezinjtë, duke rikujtuar disfatën që Shqipëria i shkaktoi ekipit që ai drejton në shtator të vitit 2023 në Tiranë. “E njohim më së miri Shqipërinë, kemi luajtur kundër tyre në kualifikueset e Botërorit 2022 dhe të Europianit 2024”, tha ai.

“Shqipëria është kundërshtari më i rëndësishëm, sepse ndaj tyre luajmë ndeshjen e parë. Kanë lojtarë të përgatitur teknikisht, janë ekip që pëson pak gola, por edhe shënon pak. Janë të organizuar dhe të disiplinuar, futbollistët e tyre luajnë në Itali dhe në klube aziatike. Nuk është rastësi që dy vjet më parë na mundën 2-0 në Tiranë”, shtoi Urban.

Fituesi i çiftit Poloni-Shqipëri do të përballet në finale me fituesin e ndeshjes ndërmjet Ukrainës dhe Suedisë. Ai duel do të përcaktojë skuadrën që do të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Sipas Urban, Polonia, Shqipëria, por edhe Ukraina e Suedia janë skuadra me nivel të ngjashëm. Diferencën në fushë do ta bëjnë detajet, aftësitë dhe talenti individual.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)