Jake Paul ngre padi pas disfatës “milionere” me Anthony Joshua

Shifra e përgjithshme e përfitimeve ishte 192 mln dollarë. Publiku e cilësoi duelin një farsë, duke ngritur akuza për paracaktim të rezultatit të ndeshjes.

23.12.2025. 17:33

Jake Paul ngre padi pas disfatës “milionere” me Anthony Joshua

Stafi i Jake Paul ka konfirmuar nisjen e një padie ligjore, vetëm pak ditë pas humbjes së tij me nokaut ndaj Anthony Joshua në Miami. Ndeshja e transmetuar drejtpërdrejt në “Netflix” u cilësua “një farsë që prodhoi 192 milionë dollarë”, teksa nuk munguan dyshimet dhe akuzat për paracaktimin e rezultatit.

Përballja ishte konsideruar e pazakontë dhe e rrezikshme që para fillimit, për shkak të diferencës së madhe në përvojë mes influencerit 28-vjeçar dhe ish-kampionit të botës në peshat e rënda. Parashikimet u konfirmuan në raundin e gjashtë, kur Joshua e mbylli ndeshjen me nokaut, duke i shkaktuar Paulit fraktura të nofullës në dy vende.

Gjatë ndeshjes, Paul u kritikua për taktika si talljet e shpeshta dhe rëniet e qëllimshme, të cilat duket se e irrituan Joshuan, që më pas rriti intensitetin e goditjeve. Pas përfundimit të duelit, në rrjetet sociale nisën spekulimet se rezultati mund të kishte qenë i paracaktuar, duke u bazuar edhe në faktin se Paul kishte pësuar vetëm një humbje më parë në karrierë dhe kishte fituar ndaj Mike Tyson.

Një postim viral pretendonte se ekzistonte një marrëveshje sipas së cilës Joshua nuk duhej ta hidhte Paul në tapet, por kjo u mohua nga ekipi i boksierit amerikan. Bashkëthemeluesi i “Most Valuable Promotions”, Nakisa Bidarian, deklaroi për gazetarin Ariel Helwani se avokatët e tyre po ndjekin ligjërisht disa persona që kanë shpërndarë deklarata që i konsiderojnë shpifëse.

“Ka njerëz që kanë pretenduar se kishte një marrëveshje për të mos e rrëzuar në ring Jake, gjë që është absolutisht e pavërtetë,” tha Bidarian, duke shtuar se disa nga këto postime kanë marrë qindra mijëra pëlqime. Ai theksoi se ndeshja me Anthony Joshua ishte një përballje reale profesionale, pa asnjë marrëveshje të fshehtë, dhe se pretendimet e tilla janë “të pabesueshme”.

Sipas tij, narrativa ka ndryshuar vetëm pas ndeshjes, edhe pse para saj shumica e analistëve parashikonin që Joshua do ta fitonte duelin brenda një ose dy raundesh. Padia e paralajmëruar nuk lidhet me rezultatin sportiv apo dëmtimin e Paulit, por me akuzat publike që vënë në dyshim integritetin e ndeshjes dhe reputacionin e palëve të përfshira.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)