Instagram ka njoftuar se do të heqë mbrojtjen e privatësisë së mesazheve, me enkriptim “end-to-end” për bisedat private në platform. Ky ndryshim pritet të hyjë në fuqi më datë 8 maj 2026. Sipas një përditësimi në faqen zyrtare të ndihmës që jep platforma, kjo do të thotë se mesazhet e përdoruesve nuk do të kenë më këtë nivel të lartë privatësie.
Në përditësimin e faqes “Çfarë është enkriptimi ‘end-to-end’ në Instagram”, kompania konfirmon se kjo veçori për mesazhet do të hiqet plotësisht. Si pasojë, të gjitha bisedat në mesazhet direkte të përdoruesve do të humbasin këtë mekanizëm të rëndësishëm sigurie që mbron përmbajtjen nga qasja e palëve të treta.
Instagram ka bërë të ditur gjithashtu se përdoruesit do të kenë mundësi të shkarkojnë bisedat ose materialet, që mund të preken nga ky ndryshim. Platforma thekson se në aplikacion do të shfaqen udhëzime për shkarkimin e mesazheve ose mediave që përdoruesit duan të ruajnë, ndërsa në disa raste mund të jetë e nevojshme përditësimi i aplikacionit në versionin më të fundit.
Njoftimi ka shkaktuar reagime të shumta nga përdoruesit në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre kanë shprehur shqetësim për humbjen e privatësisë. Deri tani kompania Meta nuk ka dhënë detaje të plota për arsyet e këtij vendimi, por disa raportime sugjerojnë se ndryshimi mund të lidhet me presionin e autoriteteve në Europë për të lejuar shqyrtimin e mesazheve të raportuara dhe për të luftuar përhapjen e materialeve të paligjshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)