Parlamenti Europian ka publikuar draft-raportin për Serbinë, sipas të cilit vendi ka bërë përparim të kufizuar ose aspak, në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Raportuesi për Serbinë, Tonino Picula vlerësoi se reformat kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin, me regres të dukshëm veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike.
“Që nga raporti i vitit të kaluar, gjendja në vend është përkeqësuar. Situata është jashtëzakonisht e polarizuar dhe e mbushur me tensione. Procesi i anëtarësimit ka ngecur prej vitesh,” tha Picula gjatë diskutimeve në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Sipas raportuesit, ngecja lidhet me përparim të kufizuar në dialogun me Kosovën, mungesë përputhshmërie me politikën e përbashkët të jashtme të BE-së, retorikë kundër zyrtarëve europianë, kufizime për mediat dhe shoqërinë civile si edhe mosndjekje të rekomandimeve për reformën zgjedhore. Ai theksoi se Serbia duhet të angazhohet në mënyrë strategjike dhe sistematike për të përmbushur objektivin e saj për anëtarësim.
Picula gjithashtu kritikoi mungesën e reflektimit praktik të angazhimeve deklarative të Serbisë, duke përmendur mosshkuarjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor 2025 dhe pjesëmarrjen në paradën ushtarake në Moskë në maj. Gjatë debatit, deputetët e delegacionit të PE-së vërejtën mungesë gatishmërie nga autoritetet e Beogradit për të bashkëbiseduar me ta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)