Një sondë hapësinore e NASA-s me peshë rreth 600 kilogramë pritet të rikthehet në atmosferën e Tokës sot, pas gati 14 vitesh në hapësirë.
Sipas NASA-s dhe Forcës Hapësinore të SHBA-së, sonda Van Allen Probe A pritet të hyjë në atmosferë rreth orës 19:45 sipas orës amerikane, por mund të ketë një marzh gabimi për kohën e saktë.
Sonda u lëshua në gusht të vitit 2012 së bashku me një tjetër sondë binjake, Van Allen Probe B, për të studiuar brezat e rrezatimit rreth Tokës. Këto zona, të njohura si brezat Van Allen, janë unaza grimcash të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës dhe ndihmojnë në mbrojtjen e planetit nga rrezatimi kozmik dhe stuhitë diellore.
Misioni fillimisht ishte planifikuar të zgjaste vetëm dy vjet, por sondat funksionuan për rreth 7 vjet, deri në vitin 2019, kur u fikën pasi u mbaroi karburanti. Gjatë kësaj kohe, ato zbuluan edhe një brez të tretë rrezatimi që formohet gjatë aktivitetit të fortë diellor dhe siguruan shumë të dhëna për shkencëtarët.
Shkencëtarët mendonin se sonda do të binte në Tokë rreth vitit 2034, por aktiviteti i fortë diellor ka rritur rezistencën atmosferike dhe e ka tërhequr më shpejt drejt planetit.
Në këtë moment nuk dihet vendi i saktë ku mund të bien fragmentet, pasi trajektorja mund të ndryshojë deri në momentet e fundit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)