Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka pretenduar se populli i Iranit dëshiron ta bëjë atë Udhëheqësin e ri Suprem, por sipas tij, ai nuk është i interesuar të marrë këtë pozicion.
Duke folur në një aktivitet për mbledhje fondesh republikane në Uashington, Trump e vendosi theksin tek pretendimi i tij se Irani dëshiron t'i japë fund luftës gati njëmujore, duke këmbëngulur se zyrtarët në Teheran po negociojnë me Uashingtonin, por druhen ta pranojnë këtë nga frika e një kryengritjeje në vend.
"Ata po negociojnë, meqë ra fjala, dhe duan shumë të bëjnë një marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre. Ata kanë gjithashtu frikë se do të vriten nga ne", tha Trump, duke iu referuar një serie vrasjesh të profilit të lartë në Iran që kanë krijuar një vakum pushteti në vend.
Trump pretendoi se ideja që ai të bëhet Lideri i ardhshëm Suprem i Iranit u propozua në mënyrë jozyrtare nga udhëheqja në Teheran pasi fushata ushtarake SHBA-Izrael la të vdekur Ajatollah Ali Khamenein, por ai i refuzoi ata.
“Nuk ka pasur kurrë më pak dëshirë se sa tani që dikush të jetë kreu i Iranit. Ne i dëgjojmë shumë qartë. Ata thonë: ‘Nuk e dua’. Ne do të donim t'ju bënim udhëheqësin e ardhshëm suprem. Jo, faleminderit. Nuk e dua”, tha Trump në darkën vjetore të mbledhjes së fondeve të Komitetit Kombëtar Republikan të Kongresit.
Irani e bëri Mojtaba Khamenei-n, udhëheqës suprem pas vrasjes së babait të tij, ndërsa zinxhiri i udhëheqjes në Teheran ka pësuar një sërë humbjesh të konsiderueshme, përfshirë edhe kreun e Këshillit të Sigurisë, Ali Larijani.
Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur gjithashtu se bisedimet e paqes me Iranin janë duke vazhduar, edhe pse Teherani publikisht hodhi poshtë propozimet e SHBA-ve dhe lëshoi kushte të reja të vetat për t'i dhënë fund konfliktit që ka shkaktuar kaos në të gjithë Lindjen e Mesme dhe tregjet globale.
Kushtet e Teheranit kërkojnë garanci se SHBA-të dhe Izraeli nuk do të rifillojnë sulmet e tyre, dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe njohje të autoritetit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, sipas televizionit shtetëror Press TV.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)