Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz ka njoftuar këtë të enjte se në një operacion të IDF-së është vrarë Komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Alireza Tangsiri.
“Mbrëmë, në një operacion të saktë dhe vdekjeprurës, IDF eliminoi komandantin e Marinës së IRGC, Tangasiri, së bashku me zyrtarë të lartë të komandës detare. Ne do të vazhdojmë të operojmë në Iran me forcë të plotë për të arritur objektivat e luftës”, tha të enjten ministri i Mbrojtjes Izraelit, Israel Katz.
Katz gjithashtu e quajti operacionin "një mesazh të rëndësishëm për partnerët amerikanë, që pasqyron ndihmën e IDF në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit".
Dy burime izraelite me njohuri për çështjen i kishin thënë më parë CNN se Tangsiri, një nga njerëzit kyç të regjimit, i cilësuar si burri që bllokoi Ngushticën e Hormuzit, ishte vrarë, por autoritetet iraniane nuk kanë komentuar mbi raportet e vdekjes së tij.
Tangsiri ka qenë gjithnjë e më i zëshëm dhe i dukshëm që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën fushatën e tyre kundër Iranit. Ai ka qenë një figurë kyçe pas bllokadës pothuajse totale të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Aktiv në mediat sociale gjatë gjithë luftës, Tangsiri postoi së fundmi në ‘X’ të martën, duke vënë në dukje se kalimi i çdo anijeje nëpër ngushticë kërkon koordinim të plotë me autoritetin detar të Iranit.
Ai gjithashtu ka postuar përditësime të shpeshta rreth operacioneve të Marinës së Gardës Revolucionare në Gjirin Persik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)