Cole Tomas Allen, i dyshuari për sulmin gjatë darkës së gala të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, është paraqitur para një gjykatësi federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas raportimeve, Allen, një mësues i ri, është akuzuar zyrtarisht për tentativë vrasjeje ndaj presidentit amerikan, vepër për të cilën rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim dhe gjatë seancës nuk deklaroi as fajësi dhe as pafajësi.
Seanca për verifikimin e arrestit është caktuar të mbahet të enjten, ndërsa ajo paraprake është planifikuar për 11 maj.
Ndërkohë, CNN raporton se rasti ka nxitur reagime edhe nga Shtëpia e Bardhë, veçanërisht mbi çështjen e sigurisë. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se, megjithëse reagimi i forcave të rendit ishte i shpejtë dhe efektiv, është e nevojshme të vazhdohet puna për përmirësimin e masave mbrojtëse.
Ajo theksoi se administrata do të bashkëpunojë me Departamentin e Sigurisë dhe Shërbimin Sekret Amerikan për të forcuar sigurinë, duke shtuar se presidenti është i kënaqur me reagimin ndaj incidentit dhe mirënjohës ndaj forcave që garantuan mbrojtjen e tij dhe të stafit.
Në këtë kontekst, Leavitt përmendi edhe projektin për ndërtimin e një salle të re balloje në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar atë si një element të rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
Ideja është mbështetur edhe nga disa senatorë republikanë, të cilët kanë paralajmëruar një propozim ligjor për financimin e saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)