Punimet për ndërtimin e një kafazi gjigant të UFC-së kanë nisur në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, në prag të eventit të madh që do të organizohet muajin e ardhshëm për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Pamjet nga vendi tregojnë punëtorët duke montuar strukturat metalike dhe tribunat e përkohshme, të cilat do të krijojnë një arenë në formë tetëkëndëshi, tipike për ndeshjet e UFC-së.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët se eventi do të jetë spektakli më i madh në historinë e UFC-së, me një arenë të ndërtuar pikërisht përpara derës së Shtëpisë së Bardhë.
Eventi, i quajtur “UFC Freedom 250”, pritet të zhvillohet më 14 qershor dhe sipas raportimeve, organizimi do t’i kushtojë UFC-së rreth 60 milionë dollarë.
Në mbrëmjen sportive do të zhvillohen dy ndeshje për tituj kampionë. Braziliani Alex Pereira do të përballet me francezin Ciryl Gane për titullin e përkohshëm në peshat e rënda, ndërsa gjeorgjiani Ilia Topuria do të duelojë me kampionin e përkohshëm Justin Gaethje në kategorinë e peshave të lehta.
Presidenti i UFC-së, Dana White, bëri të ditur se rreth 4,300 persona do ta ndjekin eventin drejtpërdrejt në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, shumica prej tyre pjesëtarë të ushtrisë amerikane.
Ndërkohë, rreth 85 mijë bileta falas do të shpërndahen për publikun në parkun Ellipse, pranë Shtëpisë së Bardhë, ku tifozët do të mund ta ndjekin eventin në ekrane gjigante.
Sipas organizatorëve, nuk do të ketë shitje normale të biletave, ndërsa për VIP-at do të ofrohen paketa speciale luksoze që sipas mediave amerikane mund të kushtojnë deri në 1.5 milionë dollarë.
Ky do të jetë eventi i parë sportiv profesional i zhvilluar ndonjëherë brenda ambienteve të Shtëpisë së Bardhë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)