Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviç Handanoviç deklaroi se janë duke u zhvilluar negociata mes aksionarëve rusë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe kompanisë hungareze MOL për shitjen e aksioneve të kompanisë.
Sipas saj, NIS dhe MOL kanë informuar zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit lidhur me këto zhvillime. Ajo shton se qeveria e Hungarisë i mbështet bisedimet, ndërsa ajo e Serbisë do të ofrojë mbështetje për të gjetur një zgjidhje që do të çonte në heqjen e sanksioneve dhe sigurimin e një licence operimi për NIS-in.
Ministrja ka bërë të ditur se edhe qeveria e Rusisë e mbështet largimin e kapitalit rus nga NIS-i, çka sipas saj krijon kushte për vazhdimin e negociatave.
Autoritetet amerikane i kanë lëshuar së fundmi një licencë NIS-it, duke zgjatur afatin për negociata për shitjen e aksioneve ruse deri më 24 mars 2026.
NIS është në pronësi shumicë të Gazprom Neft, degë e gjigantit shtetëror rus Gazprom, i cili zotëron 56.16 për qind të aksioneve, ndërsa shteti serb ka 29.87 për qind. Kompania u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara më 9 tetor, me synimin për të kufizuar të ardhurat e Rusisë nga sektori energjetik në funksion të luftës në Ukrainë.
SHBA ka bërë të qartë se kushti për heqjen e NIS-it nga regjimi i sanksioneve është largimi i pronësisë ruse. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Gazprom Neft ka investuar mbi 3 miliardë dollarë në NIS dhe se dialogu me Serbinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje është në vazhdim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)