Një gjykatë në Rusi dënoi me 6 vite burg Sergei Udaltsov, kritikun e presidentit Vladimir Putin, për akuzën e mbështetjes së terrorizmit.
Sipas faqes së pavarur ruse të lajmeve Mediazona, akuzat kundër Sergei Udaltsov rrjedhin nga një artikull që ai postoi në internet në mbështetje të një grupi tjetër aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste.
Këta aktivistë janë shpallur fajtorë disa javë më parë dhe kanë marrë dënime që varionin nga 16 deri në 22 vjet burg.
Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij duke i cilësuar ato si të sajuara. Të enjten, ai e denoncoi vendimin si "të turpshëm" dhe tha se do të hynte në grevë urie.
Sipas vendimit të gjykatës, aktivisti do të vuajë dënimin e tij në një burg të sigurisë maksimale.
Udaltsov është burgosur më parë në vitin 2014, kur u dënua me 4.5 vjet burg për akuza që lidhen me rolin e tij në organizimin e një demonstrate të vitit 2012 kundër Putinit që u shndërrua në trazira. Ai u lirua në vitin 2017.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)