Një shpërthim i fuqishëm në Stamboll ka shkaktuar shembjen e dy ndërtesave në lagjen Ajvansaraj, duke lënë disa persona të bllokuar nën rrënoja.
Sipas autoriteteve, nëntë persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë transportuar me urgjencë në spitalet më të afërta. Guvernatori i Stambollit, Davut Gyl, deklaroi se sipas vlerësimeve fillestare, ky ishte numri i personave të mbetur nën rrënoja, ndërsa theksoi se aktualisht nuk ka nevojë për evakuimin e ndërtesave përreth.
“Në vijim, Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave do të monitorojë situatën dhe nëse do të ketë ndërtesa që kërkojnë evakuim, ato do të evakuohen. Qytetarëve që mund të kenë mbetur jashtë do t’u ofrohet strehim dhe ndihmë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se prioriteti kryesor i autoriteteve është shpëtimi i personave dhe trajtimi i të plagosurve, duke nënvizuar se asnjë prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Raportet e para flisnin për pesë persona të bllokuar, por pas ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, të gjithë u nxorën nga rrënojat dhe u dërguan për ndihmë mjekësore.
Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa ndërtesa përreth, ndërsa dyshohet se shkaku ka qenë një rrjedhje gazi. Autoritetet lokale konfirmuan se shpërthimi ndodhi rreth mesditës në një ndërtesë banimi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)