Agjencia e lajmeve Tasnim, e cila është pranë Rojeve Revolucionare, bën me dije se Irani ka shpalosur 6 kushtet e tij kryesore të cilat duhet të zbatohen për t’i dhënë fund luftës.
Sipas agjencisë, Irani kërkon të sigurohet që konflikti nuk do të përsëritet, gjithashtu bën thirrje për mbylljen e bazave ushtarake në rajon, kompensim për dëmet dhe përfundimin e luftës kundër gjithë grupeve që janë të lidhura me të në rajon.
Po ashtu, mes kërkesave renditet zbatimi i një regjimi të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit dhe ndjekja penale dhe ekstradimi i punonjësve të medias anti-iraniane.
Kërkesat duket të shumta dhe pothuajse të parealizueshme, teksa Tasnim nuk citon se kujt i janë drejtuar ato.
Më herët, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, foli në telefon me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas .
Sipas Araghchit, gjatë bisedës ata diskutuan zhvillimet e fundit në rajon pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe pasojat e tyre politike, të sigurisë dhe humanitare.
Të dyja palët shprehën shqetësim për përshkallëzimin e vazhdueshëm, duke diskutuar efektet e tensioneve në stabilitetin rajonal dhe ekuilibrin ndërkombëtar.
Ndërkohë, në lajmet e tjetra që vijnë nga Irani, mësohet se zyrtarët më të lartë ushtarake kanë mohuar përgjegjësinë e Teheranit për sulmin me raketa kundër bazës ushtarake anglo-amerikane në Diego Garcia në Oqeanin Indian.
Incidenti i raportuar tërhoqi vëmendjen sepse “Diego Garcia” ndodhet 4,000 kilometra larg Iranit.
Ishte pikërisht largësia që mund të arrijnë këto raketa që ka detyruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu të lëshojë një thirrje drejtuar vendeve të BE, të cilat deri në këto momente pothuajse kanë qëndruar larg këtij konflikti.
"Ata lëshuan një raketë balistike ndërkontinentale kundër Diego Garcias. Tani kanë aftësinë të arrijnë thellë në Evropë, Është koha që udhëheqësit e vendeve të tjera të bashkohen", u shpreh ai.
"Ata po synojnë të gjithë. Ata po bllokojnë një rrugë ndërkombëtare detare, një rrugë kyçe energjie dhe po përpiqen të shantazhojnë të gjithë botën. Është koha që udhëheqësit e vendeve të tjera të bashkohen'", shtoi Netanjahu.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)