Macron uron Kurtin: Zbatoni detyrimet në kuadër të dialogut me Serbinë

Macron nxit qeverinë e re në Kosovë që të përmbushë angazhimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

22.03.2026. 14:10

Macron uron Kurtin: Zbatoni detyrimet në kuadër të dialogut me Serbinë

Kryeministria e Kosovës bën me dije se së fundmi ka pranuar një letër urimi nga presidenti francez Emanuel Macron drejtuar kryeministrit Albin Kurti, me rastin e rikonfirmimit të tij në detyrë.

Kreu i shtetit francez shprehet se vendi i tij do të mbështesë Kosovën, në rrugën e saj drejt BE, teksa e nxit qeverinë e re që të përmbushë angazhimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Letra e Presidentit të Francës, Macron

I nderuar zoti Kryeministër,

Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj europiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Europian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.

Ju lutem pranoni, zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)