Gjakova u trondit mëngjesin e së hënës nga të shtënat me armë zjarri që përfunduan me një viktimë dhe një person të plagosur. Pas disa orësh kërkimesh nga autoritetet, i dyshuari për këtë ngjarje u vetëdorëzua në polici.
Policia e Kosovë konfirmoi se personi i dyshuar për vrasjen e një klienti në një lokal dhe plagosjen e një tjetri është paraqitur vetë në stacionin policor në orët e mbrëmjes të së hënës. Ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, kur policia mori informacion se dy persona të rritur ishin qëlluar me armë zjarri.
Sipas zëdhënësit të policisë, Sheremet Elezaj, rreth orës 05:30 autoritetet u njoftuan për të shtënat. Njëri nga personat e plagosur nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri mbeti i plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti disa gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një armë të ftohtë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale. Ndërkohë, zyrtarja për informim në drejtorinë rajonale të policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, konfirmoi se i dyshuari u paraqit vetë në polici gjatë mbrëmjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)