Italia në referendum, votohet për reformën në drejtësi

Ky referendum shihet si një test i madh politik, që mund të ndikojë drejtpërdrejt mbi autoritetin dhe legjitimitetin e kryeministres Meloni në vitin që vjen.

Burimi: REL

22.03.2026. 13:14

Italia në referendum, votohet për reformën në drejtësi

Italianët nisën procesin e votimit të dielën në një referendum dyditor mbi ndryshimet kushtetuese të sistemit të drejtësisë, që kryeministrja Giorgia Meloni argumenton se do ta bëjnë ate më të pavarur dhe më eficient.

Opozita dhe analistët e konsiderojnë reformën një mënyrë për të rritur ndikimin politik mbi gjyqësorin, duke e kthyer votimin në një provë për popullaritetin e Melonit para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

Qeveria  synon të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke ndarë rolet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijuar një gjykatë disiplinore me 15 anëtarë, përzgjedhur pjesërisht nga presidenti dhe avokatë të miratuar nga Parlamenti.

Reforma parandalon gjithashtu që gjyqtarët dhe prokurorët të ndryshojnë funksion midis dy roleve, për të zvogëluar ndikimet e afërsive të brendshme.

Kritikët e quajnë planin si dobësim të pavarësisë së gjyqësorit, ndërsa fushata “Jo” paralajmëron se gjykata e re mund të shndërrohet në një “krah të armatosur të politikës”. Sondazhet tregojnë një balancë të ngushtë mes përkrahësve dhe kundërshtarëve.

Referendumi ka shkaktuar debate të forta publike, ndërsa vitin e kaluar më shumë se 80% e anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve zhvilluan grevë për të kundërshtuar ndryshimet.

Votimi përfundon të hënën në orën 14:00 dhe rezultatet preliminare pritet të shpallen më vonë gjatë ditës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)