Moska flet për “agresion të pajustifikuar”, BE: Irani përbën kërcënim global

Franca kërkon mbledhje urgjente të OKB-së, thirrje Teheranit të angazhohet me mirëbesim në negociata për programet bërthamore dhe balistike.

28.02.2026. 14:06

Moska flet për “agresion të pajustifikuar”, BE: Irani përbën kërcënim global

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme janë të rrezikshme dhe se regjimi iranian përbën kërcënim për sigurinë globale. Në një reagim në rrjetin social “X”, ajo theksoi se programet balistike dhe bërthamore të Iranit, si dhe mbështetja ndaj grupeve terroriste, përbëjnë një rrezik serioz.

“Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme janë të rrezikshme. Regjimi iranian ka vrarë mijëra njerëz. Programet e tij balistike dhe bërthamore, së bashku me mbështetjen për grupet terroriste, janë një kërcënim serioz për sigurinë globale”, shkruante Kallas.

Ajo bëri të ditur se ka biseduar me ministrin e Jashtëm izraelit dhe me homologë nga rajoni, ndërsa BE po bashkëpunon ngushtë me partnerët arabë për të eksploruar zgjidhje diplomatike. Sipas saj, mbrojtja e civilëve dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare mbeten prioritare.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke paralajmëruar për pasoja të rënda nëse përshkallëzimi vazhdon. “Shpërthimi i luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit sjell pasoja serioze për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, deklaroi ai, ndërsa i bëri thirrje Iranit të angazhohet me mirëbesim në negociata për programet bërthamore dhe balistike.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ruse i ka dënuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar si “akt agresioni të armatosur të planifikuar dhe të pajustifikuar” kundër një shteti sovran anëtar të OKB-së. Moska i përshkroi zhvillimet si një “aventurë të rrezikshme” që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt një katastrofe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)