Një postim kundër Khameneit: Zhduket ish-portieri i Iranit, Rashid Mazaheri

Pak ditë para sulmit të përbashkët të Izraelit dhe SHBA, e akuzonte liderin për shtypjen e protestave, e quante “Djall” dhe fliste për gjak të pafajshëm të derdhur.

04.03.2026. 17:23

Një postim kundër Khameneit: Zhduket ish-portieri i Iranit, Rashid Mazaheri

Ish-portieri i Kombëtares së Iranit, Rashid Mazaheri rezulton i zhdukur pasi publikoi një mesazh të ashpër në rrjetet sociale kundër Ajatollahut Ali Khamenei, në një moment kur vendi po përballet me trazira të thella politike dhe ushtarake. Sipas raportimeve të mediave, 36-vjeçari nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete që prej momentit kur forcat e sigurisë bastisën banesën e tij, vetëm pak orë pas publikimit të mesazhit kritik ndaj liderit suprem.

Portieri është një emër i njohur në futbollin iranian. Ai ka fituar trofe me Zob Ahan dhe Tractor, si dhe ka mbrojtur portën e klubeve të rëndësishme si Esteghlal dhe Sepahan, përveçse ka veshur fanellën e përfaqësueses edhe gjatë Botërorit 2018.

Postimi ishte publikuar në mbrëmjen e 24 shkurtit, pak ditë para sulmit të përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara që çoi në vdekjen e Khameneit, i cili kishte qenë në pushtet prej 36 vitesh. Në mesazhin e tij, Mazaheri e akuzonte liderin për shtypjen e protestave, e quante “Djall” dhe fliste për gjak të pafajshëm të derdhur, duke e cilësuar regjimin si të përfunduar.

Në agimin e ditës pasuese, agjentë të sigurisë u paraqitën në shtëpinë e futbollistit. Sipas burimeve, ata sekuestruan telefonin dhe kompjuterin, duke e informuar për ekzistencën e një urdhër-arresti ndaj tij. Që nga ai moment, postimi është fshirë dhe për Mazaherin nuk ka më informacion.

Pak pas kontrollit në banesë, bashkëshortja e tij, Maryam Abdollahi, publikoi një mesazh në Instagram ku shprehej se jeta e tij ishte në rrezik, duke e cilësuar qeverinë përgjegjëse për çdo gjë që mund t’i ndodhë. Ajo kujtoi gjithashtu presionet e vazhdueshme që familja kishte përjetuar vitet e fundit.

Kjo nuk ishte hera e parë që Mazaheri mban qëndrime kundër regjimit. Gjatë protestave të viteve 2019-2020, ai kishte kërkuar publikisht të mos ekzekutoheshin protestuesit, qëndrim që shkaktoi më pas arrestimin e tij. Në vitin 2021, ai u pezullua nga federata iraniane e futbollit për mbështetjen e protestave të lidhura me krizën e ujit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)