Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin dhe njëkohësisht shefin e diplomacisë së Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e Katarit përmes një postimi në platformën X.
Aty theksohej se gjatë bisedës, Araghchi ka sqaruar se “sulmet me raketa iraniane ishin drejtuar kundër interesave amerikane dhe nuk kishin si objektiv shtetin e Katarit”. Nga ana e tij, Al Thani theksoi se sulmet “kanë goditur zona civile dhe rezidenciale brenda shtetit të Katarit, duke përfshirë zonën përreth aeroportit ndërkombëtar, infrastrukturë kritike dhe zona industriale me impiante të prodhimit të gazit natyror të lëngshëm”.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë “një shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të Katarit dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”. Al Thani shtoi se, përveç raketave janë lëshuar edhe dronë, duke e cilësuar situatën si një “qasje përshkallëzuese nga ana iraniane” dhe duke theksuar se nuk ka “asnjë dëshirë të sinqertë për ulje tensionesh apo zgjidhje”. Ai akuzoi Teheranin se synon të dëmtojë fqinjët dhe t’i tërheqë në një luftë që nuk është e tyre.
Emiri i Katarit kërkoi “ndalimin e menjëhershëm të këtyre sulmeve kundër vendeve të rajonit që janë distancuar nga kjo luftë” dhe vuri në dukje se Katari ka qenë gjithmonë i prirur ndaj dialogut dhe diplomacisë. Megjithatë, ai paralajmëroi se Doha “do të përballet me çdo agresion që cenon sovranitetin, sigurinë, territorin apo interesat kombëtare”, duke theksuar se “këto agresione nuk mund të mbeten pa përgjigje”, në përputhje me të drejtën për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)