Kurti propozon Konjufcën për President të Kosovës

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe konstituimit të Kuvendit e Qeverisë, Kosova ndodhet para procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.

04.03.2026. 17:40

Kurti propozon Konjufcën për President të Kosovës

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe konstituimit të Kuvendit e Qeverisë, Kosova ndodhet para procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri. Në këtë kuadër, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të propozojë si kandidat Glauk Konjufcën.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim erdhi pasi nuk u arrit të gjendej një kandidat konsensual mes subjekteve parlamentare. LVV thekson se, si parti fituese e zgjedhjeve, ka ndërmarrë disa iniciativa për të zhvilluar takime me subjektet më të mëdha opozitare me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për një emër të përbashkët, duke pasur parasysh se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Megjithatë, sipas kësaj partie, nga opozita nuk është paraqitur asnjë propozim konkret dhe janë refuzuar edhe disa emra të ofruar nga LVV. Në këto rrethana, partia ka vendosur të propozojë Konjufcën, duke theksuar përvojën e tij si ish-kryetar i Kuvendit, deputet në shtatë legjislatura dhe një ndër politikanët më të votuar në vend.

Njëkohësisht, LVV ka ftuar sërish opozitën që të propozojë kandidat, duke ofruar edhe ndihmë për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme. Sipas saj, zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe ekziston mundësia për të arritur pajtueshmëri politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)