Tensionet në Lindjen e Mesme duket se po shtohen dita ditës dhe vendosja e një armëpushimi duket ende shumë larg me palët e përfshira në këtë përplasje të ashpër.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit të Iranit në Katar, ku në shënjestër të raketave të regjimit islamik ishte uzina më e madhe e përpunimit të gazit në botë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se nëse Irani do të tentojë të sulmojë edhe njëherë impiantin në Ras Laffan atëherë kundërpërgjigjja amerikane do të jetë e menjëhershme ndaj fushës iraniane të gazit në Pars, e cila sipas Trump do të shkatërrohet plotësisht.
Ndërkohë mediat amerikane, raportojnë burime nga brenda administratës Trump të cilat paralajmërojnë një përshkallëzim të konfliktit në ditët në vijim.
Kështu agjencia e lajmeve Reuters raporton se SHBA po mendon që të dërgojë mijëra ushtarë amerikanë në Lindjen e Mesme, një pjesë e madhe e të cilëve do të vendoset në ishullin Kharg.
Ndërkohë, që një opsion tjetër është dhe vendosja e këtyre trupave përgjatë brigjeve iraniane për të siguruar kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Ndonëse, Trump e paralajmëroi se lufta në Iran do të përfundojë shumë shpejt, zhvillimet brenda administratës nuk e tregojnë një gjë të tillë.
Pentagoni së fundmi i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë një fond prej 200 miliardë dollarësh për të financuar më tej luftën.
Rajoni i Lindjes së Mesme po ashtu është i lodhur nga raketat iraniane, një pjesë e të cilave përveçse synon bazat amerikane, po bien dhe mbi objekte strategjike apo edhe civile.
Arabia Saudite ka deklaruar së fundmi se ka të drejtën për të reaguar ushtarakisht ndaj Iranit, duke shtuar se mbretëria nuk ka asnjë mundësi që t’iu nënshtrohet këtyre akteve të presionit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)