Mesazhi i Khamenei për Ditën e Novruzit: Viti i ri do të sjellë fitore, armiku është mposhtur

Ashtu si ndodhi edhe më 12 mars, pas zgjedhjes si Udhëheqës Suprem i vendit, ai nuk u shfaq publikisht me zë dhe me figurë.

20.03.2026. 18:57

Mesazhi i Khamenei për Ditën e Novruzit: Viti i ri do të sjellë fitore, armiku është mposhtur

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei ka përcjellë mesazhin e tij për Ditën e Novruzit, duke e cilësuar vitin e ri si një periudhë suksesi për vendin dhe dështimi për kundërshtarët. Deklarata u publikua përmes mediave shtetërore dhe rrjeteve sociale, ndërsa ai nuk u shfaq publikisht.

Në mesazhin me shkrim, Khamenei theksoi se uniteti i brendshëm ka qenë faktor kyç për përballimin e sfidave, duke shtuar se vendi ka arritur të kapërcejë presionet dhe konfliktet e fundit. Ai shprehu bindjen se periudha në vijim do të sjellë zhvillime pozitive si në aspektin material, ashtu edhe në atë shpirtëror për popullin iranian dhe vendet aleate.

“Për momentin, armiku është mposhtur. Kjo erdhi falë unitetit të veçantë që i bashkon atdhetarët tanë, pavarësisht diferencave që lidhen me fenë, kulturën, pikëpamjet politike dhe aspaktin intelektual”, lexohej në mesazh.

Në të njëjtën kohë, lideri iranian hodhi poshtë akuzat për përfshirjen e Iranit në sulmet ndaj Turqisë dhe Omanit, duke i cilësuar këto pretendime si pjesë e një strategjie dezinformuese nga kundërshtarët. Sipas tij, qëllimi është të krijohen përçarje mes vendeve të rajonit që mbajnë marrëdhënie të mira me Teheranin.

Khamenei u bëri gjithashtu thirrje mediave në Iran që të shmangin përhapjen e narrativave që, sipas tij, i shërbejnë kundërshtarëve, duke theksuar se lufta informative është një nga sfidat kryesore të momentit. Mesazhi prej 11 faqesh i Mojtaba Khamenei u shpërnda në rrjetet e tij sociale dhe nga mediat shtetërore, por ashtu si ndodhi edhe më 12 mars, pas zgjedhjes së tij në krye të vendit, ai nuk u shfaq publikisht me zë dhe me figurë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)