Strategjia për luftë me Amerikën, Danimarka planifikoi të shkatërronte pistat ajrore në Groenlandë

Sipas transmetuesit publik danez DR, ushtarët kishin me vete eksplozivë të mjaftueshëm për të shkatërruar pistat kryesore të avionëve pranë kryeqytetit Nuuk dhe në Kangerlussuaq, me qëllim pengimin e një zbarkimi të mundshëm të forcave amerikane.

Burimi: Financial Times / DR

20.03.2026. 14:57

Strategjia për luftë me Amerikën, Danimarka planifikoi të shkatërronte pistat ajrore në Groenlandë

Prestigjozja Financial Times raporton se Danimarka kishte përgatitur një plan ekstrem për të mbrojtur Groenlandën në rast të një sulmi të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, duke dërguar kallupe me lëndë shpërthyese dhe rezerva gjaku në ishull në fillim të vitit 2026.

Sipas transmetuesit publik danez DR, ushtarët kishin me vete eksplozivë të mjaftueshëm për të shkatërruar pistat kryesore të avionëve pranë kryeqytetit Nuuk dhe në Kangerlussuaq, me qëllim pengimin e një zbarkimi të mundshëm të forcave amerikane.

Po ashtu, në ishull u transportuan edhe rezerva gjaku për të përballuar plagosjet në rast përleshjesh të armatosura.

Dy zyrtarë europianë konfirmuan se këto masa kishin për qëllim rritjen e kostos për SHBA-në nëse do të tentonte të merrte kontrollin e Groenlandës me forcë. Ata theksuan madje se Franca dhe Gjermania mbështetën Kopenhagenin në këtë strategji.

“Ne ishim shumë të shqetësuar se kjo mund të shkonte vërtet shumë keq”, tha një zyrtar europian për kërcënimet e përsëritura të Donald Trump për Grenlandën.

Kriza u konsiderua ndër më seriozet në politikën e jashtme daneze që nga Lufta e Dytë Botërore, ndaj kryeministrja Mette Frederiksen deklaroi: “Ne kemi qenë në situatën më të rëndë të politikës së jashtme që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Në janar, Danimarka dhe disa vende europiane dërguan trupa në Groenlandë nën mbulimin e një stërvitjeje ushtarake, por sipas raportit, qëllimi real ishte përgatitja për një skenar konflikti dhe sigurimi që çdo tentativë për marrje nën kontroll të ishullit do të përballej me rezistencë të drejtpërdrejtë.

“Francezët ishin jashtëzakonisht ndihmues. Ata e kuptuan menjëherë se kishim nevojë për një plan”, tha një tjetër zyrtar europian.

Tensionet u përshkallëzuan pas deklaratave të Donald Trump për marrjen e Groenlandës dhe u shtuan edhe më shumë pas zhvillimeve në Venezuelë, duke rritur shqetësimet në Europë për një qasje më agresive amerikane.

Situata u zbut më vonë përmes ndërhyrjes së NATO-s dhe negociatave diplomatike, por sipas autoriteteve daneze, interesi i Trump për Groenlandën mbetet ende i pandryshuar.

“Shpresoj për një marrëveshje… por dëshira e Trump për të marrë Groenlandën mbetet”, u shpreh Frederiksen.

Ndërkohë një ish-ministër danez e përmblodhi situatën me një paralajmërim të fortë: “Grenlanda nuk ka ikur. Ajo vetëm po fle.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)