Një incident i pazakontë ka ngritur shqetësime për sigurinë ushtarake, pasi aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle” është lokalizuar në Detin Mesdhe përmes një aplikacioni fitness-i. Pozicioni i saj u zbulua pothuajse në kohë reale, pas aktivitetit të regjistruar nga një ushtarak që po vraponte në kuvertën e anijes.
Ngjarja ndodhi më 13 mars, kur një oficer i marinës franceze regjistroi një vrapim prej rreth 7 kilometrash duke përdorur një orë inteligjente të lidhur me aplikacionin “Strava”. Edhe pse nuk u publikuan foto apo detaje të tjera, të dhënat e aktivitetit, duke përfshirë këtu itinerarin dhe koordinatat u bënë publike dhe lejuan identifikimin e saktë të vendndodhjes së anijes.
Sipas raportimeve, aeroplanmbajtësja ndodhej në Mesdheun lindor, në veri-perëndim të Qipros dhe pozicionohej rreth 100 kilometra larg brigjeve të Turqisë. Incidenti ndodhi në një moment tepër delikat, vetëm pak ditë pas dislokimit të anijes në rajon në kuadër të tensioneve në Lindjen e Mesme pas ofensivës së përbashkët të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit.
Rasti ka rikthyer në vëmendje rreziqet që lidhen me ndarjen publike të të dhënave në aplikacione fitness-i. “Strava” është përballur edhe më herët me kritika, pasi të dhënat e përdoruesve kanë ndihmuar në identifikimin e bazave ushtarake dhe lëvizjeve të ndjeshme në zona të ndryshme të botës. Aktivitetet sportive kanë shpërndarë online për miliona përdorues spostimet e agjentëve dhe truprojave, e madje edhe informacione për patrullime në pika strategjike. Pavarësisht këtyre precedentëve, rreziku nga shpërndarja e informacioneve në këtë mënyrë, ende nuk është evituar plotësisht.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)