Aksident në hapësirë! 3 astronautë kinezë nuk po kthehen dot në Tokë

Tre astronautë kinezë kanë mbetur të bllokuar në stacionin hapësinor Tiangong pasi kapsula e tyre e kthimit dyshohet se është goditur nga mbetje hapësinore, duke detyruar autoritetet kineze të shtyjnë rikthimin e tyre në Tokë.

Burimi: AS

10.01.2026. 22:50

Aksident në hapësirë! 3 astronautë kinezë nuk po kthehen dot në Tokë

Tre astronautë kinezë kanë mbetur të bllokuar në hapësirë pasi kapsula e tyre e kthimit është goditur nga mbetje hapësinore, duke nxjerrë në pah një problem gjithnjë e më serioz për misionet orbitale, rritjen e rrezikshme të mbeturinave në hapësirë.

Bëhet fjalë për astronautët Wang Jie, Chen Zhongrui dhe Chen Dong, pjesë e misionit Shenzhou-20, të cilët ndodhen aktualisht në stacionin hapësinor kinez Tiangong. Ata u nisën më 24 prill dhe kthimi i tyre në Tokë ishte planifikuar për fillimin e muajit nëntor, konkretisht të mërkurën, më 5 nëntor, pas përfundimit me sukses të ndërrimit të ekuipazhit me misionin Shenzhou-21.

Megjithatë, Agjencia Hapësinore e Fluturimeve të Drejtuara të Kinës njoftoi se kthimi është shtyrë, pasi dyshohet se kapsula e kthimit është goditur nga mbetje të vogla hapësinore. Njoftimi u bë përmes një deklarate në rrjetin social Weibo, ku theksohej se po kryhet një analizë e detajuar e ndikimit dhe një vlerësim i rreziqeve për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e astronautëve.

Deri më tani, autoritetet kineze nuk kanë dhënë detaje mbi shkallën e dëmtimeve apo afatin e ri të kthimit në Tokë, duke shtuar pasigurinë rreth situatës. Në stacionin Tiangong ndodhen aktualisht gjashtë astronautë.

Kjo nuk është hera e parë që stacioni hapësinor kinez përballet me rrezikun e mbeturinave orbitale. Në vitin 2023, një panel diellor u dëmtua nga mbetje hapësinore, duke shkaktuar një ndërprerje të pjesshme të energjisë. Si pasojë, gjatë daljeve të fundit jashtë stacionit janë shtuar mbrojtje shtesë në pjesë të jashtme të tij.

Sasia e mbeturinave hapësinore rreth Tokës po rritet me shpejtësi, paralelisht me numrin gjithnjë e më të madh të anijeve dhe satelitëve, duke e kthyer hapësirën në një mjedis gjithnjë e më të rrezikshëm për misionet njerëzore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)