Samsung përballet me grevën më të madhe në histori

Gjiganti teknologjik Samsung Electronics po përballet me një krizë të madhe, pasi dhjetëra mijëra punonjës kërcënojnë me një grevë historike për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pagat, bonuset dhe shpërndarjen e fitimeve.

19.05.2026. 13:27

Samsung përballet me grevën më të madhe në histori

Gjiganti teknologjik Samsung Electronics po përballet me një krizë të madhe, pasi dhjetëra mijëra punonjës kërcënojnë me një grevë historike për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pagat, bonuset dhe shpërndarjen e fitimeve.

Sindikata më e madhe e kompanisë ka paralajmëruar një grevë 18-ditore që mund të nisë më 21 maj, nëse negociatat me drejtuesit e kompanisë nuk sjellin marrëveshje. Punonjësit pretendojnë se nuk janë shpërblyer në mënyrë të drejtë, pavarësisht fitimeve rekord që Samsung ka siguruar nga tregu global i inteligjencës artificiale dhe prodhimi i çipave të memories.

Pakënaqësitë janë më të theksuara në sektorët e prodhimit të çipave, ku sipas sindikatës, bonuset janë dukshëm më të ulëta krahasuar me departamentet më fitimprurëse të kompanisë.

Kriza vjen në një moment kritik për industrinë globale të teknologjisë, pasi Samsung konsiderohet një nga prodhuesit kryesorë në botë të çipave HBM, të përdorur në serverët e inteligjencës artificiale dhe sistemet moderne të përpunimit të të dhënave. Ekspertët paralajmërojnë se një ndërprerje e gjatë e prodhimit mund të shkaktojë probleme serioze në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit për data center, kompjuterë dhe telefona inteligjentë.

Në konflikt është përfshirë edhe politika. Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-Myung, ka bërë thirrje për kompromis mes palëve.

“Duhet të respektohen të drejtat e punëtorëve, por stabiliteti industrial mbetet çështje me interes kombëtar”, deklaroi ai.

Qeveria në Seul po shqyrton edhe mundësinë e arbitrazhit shtetëror për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Sipas analistëve ekonomikë, Samsung përbën gati 20 për qind të eksporteve dhe prodhimit teknologjik të Koresë së Jugut, ndaj një bllokim i gjatë i prodhimit mund të shkaktojë humbje me vlerë miliarda dollarë çdo ditë.

Presioni ndaj kompanisë është shtuar edhe nga konkurrenca me SK Hynix, e cila së fundmi ka rritur bonuset dhe përfitimet për punonjësit e saj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)