Videolojërat, zbulohet pas sa orësh bëhen të dëmshme për shëndetin e të rinjve

Studiuesit shpjegojnë se të luash më tepër se 10 orë në javë, mund të zëvendësojë aktivitetet që promovojnë shëndetin, si ushtrimet fizike, përgatitjen e ushqimit dhe gjumin.

19.01.2026. 15:09

Videolojërat, zbulohet pas sa orësh bëhen të dëmshme për shëndetin e të rinjve

Një studim i koordinuar nga Universiteti Curtin në Perth të Australisë dhe i publikuar në revistën shkencore “Nutrition”, tregon se të rinjtë që luajnë më tepër se 10 orë në javë videolojëra kanë tendencë të kenë zakone më të këqija jetese dhe probleme shëndetësore.

Hulumtimi përfshiu 317 studentë universitarë dhe analizoi lidhjen mes kohës së kaluar në videolojëra, stilit të jetesës dhe treguesve të shëndetit. Sipas rezultateve, ata që luanin mbi 10 orë në javë kishin probleme me dietën ushqimore, indeks më të lartë të masës trupore, cilësi më të ulët të gjumit dhe kryenin më pak aktivitet fizik.

Studiuesit shpjegojnë se koha e tepërt në lojëra elektronike mund të zëvendësojë aktivitetet që promovojnë shëndetin, si ushtrimet fizike, përgatitjen e ushqimit dhe gjumin e mjaftueshëm. Po ashtu, përfshirja intensive në videolojëra mund të ulë vëmendjen ndaj sinjaleve të urisë, ngopjes dhe lodhjes.

Tjetër evidentim i rëndësishëm është se shumica e lojtarëve intensivë kanë nisur të luajnë në moshë të vogël. Kjo sugjeron se zakonet e krijuara gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës mund të vazhdojnë dhe të përforcohen gjatë viteve të Universitetit. Sipas studiuesve, përdorimi i moderuar i videolojërave nuk paraqet rrezik. Por, ata paralajmëruan se nevojiten ndërhyrje të hershme për të nxitur zakone të shëndetshme tek fëmijët dhe adoleshentët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)