Taksë 1 euro për veturat që do hyjnë në Prishtinë

Hyrja në Prishtinë nga mesi i vitit 2026 me shumë gjasë do të kushtojë 1 euro për drejtuesit e mjeteve nga komunat e tjera të Kosovës që do duan të hyjnë në kryeqytet.

03.01.2026. 13:10

Taksë 1 euro për veturat që do hyjnë në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nga viti 2026 pritet të hyjë në zbatim një masë e re për menaxhimin e trafikut në kryeqytet, e cila parasheh vendosjen e një takse për automjetet që vijnë nga komunat e tjera.

Sipas Ramës, bëhet fjalë për një pagesë prej 1 deri në 2 euro për hyrje në Prishtinë, ndërsa kjo taksë nuk do të aplikohet për banorët e kryeqytetit. Mjetet e mbledhura, siç ka theksuar ai, do të përdoren për financimin e ndërtimit të unazës së brendshme të qytetit.

“Tash e kemi edhe Smart City, qytetin inteligjent, dhe i kemi kamerat në secilën pjesë të kryeqytetit. Këtu kemi me fillu me pas një taksë shtesë për unazën e kryeqytetit për të gjithë qytetarët që vijnë nga qytetet e tjera, jo për prishtinalitë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar se komuna është ende në fazën e kalkulimeve dhe planifikimit, por synimi është që kjo masë të fillojë së zbatuari nga gjysma e vitit të ardhshëm.

“Ende jemi duke e kalkulu me ekipet tona profesionale. Besoj se në gjysmën e vitit të ardhshëm do të fillojmë me këtë. Kjo ka me pas një impakt pozitiv në trafik dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, është shprehur kryetari i Prishtinës.

Rama ka theksuar se çdo ditë rreth 140 mijë automjete hyjnë në kryeqytet, ndërsa potenciali financiar nga kjo taksë është i konsiderueshëm.

“Kur e kemi parasysh që 140 mijë makina hyjnë në kryeqytet, nëse ua marrim nga një euro në ditë bëhen 140 mijë euro, nëse nga dy euro i kemi 280 mijë euro në ditë. Nëse e shumëzon këtë me 365 ditë, e sheh se sa shpejt mundemi me e financua unazën e brendshme”, ka thënë Rama.

Sipas tij, kjo nismë synon jo vetëm lehtësimin e trafikut, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Prishtinë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)